Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se vendimi që të subvencionohen prindërit për blerjen e librave shkollorë këtë vit ka qenë një nga vendimet që ajo thotë se kanë marrë për të ngritur cilësinë në arsim.
Në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend, Nagavci ka thënë se çështja e librave në të kaluarën ka qenë biznes e klientelizëm.
“Në të kaluarën faktet tregojnë se çështja e librave ka qene një proces që më shumë ka qenë biznes e klientelizëm. Fillimisht kemi punuar intensivisht dhe kemi finalizuar ligjin për tekste shkollore që e keni në Kuvend. Që në marrjen e mandatit kemi krijuar hapësirën që këshillat në nivel të shkollave të vendosin për tekste. Kemi filluar për herë të parë rishikimin e teksteve shkollore. Pra, janë një varg vendimesh që kemi marrë dhe vendimi i fundit është vetëm një vendim nga pakoja e reformës për përmirësimin e cilësisë në arsim. Për çdo vit më shumë është dyfishuar buxheti për tekste se që është planifikuar. Ky subvencion i teksteve e përmbushë obligimin ligjor, por edhe ua pamundëson komunave që tekstet të mbesin në bodrumet e shkollave”, ka thënë Nagavci.
Në linjë me ministren ishte edhe deputetja e VV-së, Arjeta Fejza.
Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për çështjen e librave, duke thënë se ka shkelje flagrante të ligjit.
“Ky është viti i tretë që nis mbrapsht, edhe pse s’ka as pandemi, as grevë. Si ka mundësi që një qeveri që gojën e ka plot barazi të sfidojë këtë parim kushtetues. Kemi të bëjmë me shkeljen e ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore si dhe ligji që është në fuqi për arsimin parauniversitar. Të gjitha këto vendime paraqesin shkelje flagrante ligjore. Lista e shkeljeve dhe parregullsive është e gjatë. 3 milionë euro të digjitalizimit ka shkuar për subvencionimin derisa reforma e premtuar në arsim mbetet në sirtar”, ka thënë Hoxha para deputetëve të Kuvendit.
Kritika për ministren pati edhe nga deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi e Shkëlzen Dreshaj i AAK-së.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit, që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, që prindërit t’i blejnë vetë librat shkollorë për fëmijët e tyre këtë vit dhe pastaj të rimbursohen ka nxitur reagime të ashpra, veçanërisht tek opozita. MASHT-i është arsyetuar se ka marrë këtë vendim për të ndalur keqpërdorimin që u bë gjatë viteve të kaluara me blerjen e librave.


