Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim për ta sjellë në Kuvend anulimin e marrëveshjes për Asociacionit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Bruksel.
Nënshkrimin për këtë marrëveshje e kishte dhënë edhe ish- kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili gjatë udhëheqjes së qeverisë Hotin e pati emëruar ministër.
“Ligji e përcakton si mundet Kosova të tërhiqet nga një marrëveshje ndërkombëtare. Qeveria duhet të marrë vendim për këtë dhe ta sjell në Kuvend. Tash duhet kaluar nga fjalët në vepra, ndryshe quhet mashtrim”, ka shkruar Hoti sot në Facebook.
Deputeti Hoti edhe në seancës e Kuvendit të premten i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që të ju përmbahet deklarimeve për kundërshtim të kësaj marrëveshjeje dhe ta sjellë në Kuvend për anulim.
Kujtojmë se ka qenë muaji prill i vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur Marrëveshjen e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bazë të së cilës është paraparë edhe krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja është negociuar dhe arritur mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.
Kurse në gusht të vitit 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni – marrëveshje kjo që nuk është zbatuar asnjëherë.
Nuk u zbatua sepse vetëm dy muaj më vonë, përkatësisht në tetor të vitit 2015, marrëveshja është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila tha se kjo marrëveshje në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Këtë marrëveshje e patën mbrojtur shumë ish- pushtetarët dhe vetëm tani Hoti jep një deklaratë të tillë që kërkon anulimin e saj. Por nuk dihet nëse kjo është vetëm si retorike ndaj qeverisjes aktuale, apo është bindje e Hotit që Kosova duhet të veprojë kështu./KosovaNews
