Njëzetë ditë pas vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, rreth 170 policë të uniformuar rrethuan herët në mëngjes Kaçanikun.
Në atë aksion u arrestuan shtatë persona dhe u bastisën 10 lokacione. Nëntë në Kaçanik e një në një fshat të Klinës.
Po atë ditë, në konferencën për media të Drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini u tha se në këtë aksion u sekuestruan dy vetura, telefona mobilë, disa laptopë, një armë zyrtare, maska, tyta armesh dhe fishekë. Në këtë mes u sekuestrua edhe arma e një zyrtari policor, djali i të cilit ishte në mesin e të arrestuarve.
Në rastin e vrasjes së rreshterit Lika, në kërkesë të prokurorisë drejtuar Gjykatës Themelore në Ferizaj, për caktim të masës së paraburgimit për 30 ditë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në natën kritike, të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin Lika, në atë mënyrë që Rejhan Bela me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin.
Shtatë personat e arrestuar, të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Lika, janë Rejhan Bela, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Qaka, raporton Klan Kosova.
Në kërkesë të prokurorisë thuhet se natën kritike rreshteri Lika ishte përcjellë deri në hyrje të banesës së tij, dhe pasi kishte hyrë brenda, teksa po ngjitej shkallëve, i mituri Rejhan bela i shkoi nga mbrapa, ku me ta takuar gjuajti në të me armë zjarri.
Në vendngjarje janë gjetur katër fishekë të kalibrit 9.19 mm.
Nga plagët e marra, rreshteri Lika kishte ndërruar jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjarë në Kaçanik.
Krejt ndryshe nga pretendimet e prokurorisë thotë Sulltan Bela, babai i Rejhanit.
Sipas tij, natën kritike djalin e kishte në shtëpi.
Gazetaja: Ku ka qenë Rejhani natën kritike kur është vrarë Muhamed Lika?
Bela: Në shtëpi. Bile me neve flejke, që i ndodhi qajo 2 ditë përpara. u tutke e rrijke veç me neve, me mu
Edhe me mamin e vet.
Gazetarja: A ka dalë ndonjë herë në qytet?
Bela: Ma vonë tani po, jo në qytet, për shembull ka hyp në kerr me mu e me mamin e vet, te dajtë e vet ose dikun, edhe natën kur është arrestu ka qenë të miqtë e vëllait në Klinë.
Gazetarja: Me kë ka shku atje?
Bela: Me nusen e vëllait të vet.
Gazetarja: Prokuroria ka thënë që Rejhani është parë duke dalë nga banesa e policit, është parë në kamera.
Bela: Po mu nuk më intereson çka thotë prokuroria, unë e di që e kam pas djalin në shtëpi, 24 orë, bash në natën kritike”, ka deklaruar Sulltan Bela ekskluzivisht për emisionin MAT në Klan Kosova.
Tutje, sipas prokurorisë, Rejhan Bela i cili në natën kritike ende s’i kishte mbushur 18 vjet, pas kryerjes së vrasjes ka ikur në drejtim të lokalit Dukagjini, ku është bashkuar me të pandehurin Rilind Murati, i cili ishte duke e pritur dhe së bashku janë larguar duke vrapuar përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”. Nga pamjet e kamerave, thuhet se vërehet që paraprakisht Haki Bela, vëllai i Rejhanit, ishte duke e përcjellë zyrtarin policor nga momenti i daljes nga stacioni, duke i shkuar prapa.
Rreth 14 minuta pas kryerjes së veprës penale nga i mituri, ai i afrohet vendit të ngjarjes, ku qëndron për një kohë dhe pastaj largohet.
Mirëpo, babai i tyre, Sulltani, ndonëse nuk e di me siguri, thotë se Hakiu atë ditë kishte shkuar te shtëpia e tyre për të parë nëse Rejhani ishte aty.
Gazetarja: Ku ka qenë Hakiu natën kritike kur është vrarë rreshteri Lika?
Bela: Nuk e di bash saktë ku ka qenë Hakiu, sepse Hakiu është i martuar e i ka dy fëmijë, por Hakiu e ka një shitore përballë mishtores Besa. Hakiu është praktikant pak ma shumë i fesë, është me mjekër, edhe d.m.th kallxojnë edhe qysh me u falë.
Gazetarja: Mbajnë ligjerata?
Bela: Po, mbajnë ligjërata.
Gazetarja: Ku ka qenë Hakiu natën kritike kur është vra Muhamet Lika?
Bela: Gjatë gjithë natës a? Unë nuk e di, por e di që kish pas ardhë me kqyrë a është Rejhani në shtëpi, këtë e di, pastaj ndoshta ka qenë në shitore, s’e di, nuk them kurrgjë.