Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kanë ftuar anëtarët e sindikatës së Trepçës që të vijnë në komision dhe të diskutojnë për kërkesat e tyre.
“Takimi është mbajtur kemi diskutuar katër orë të tëra, ne u dakorduam që në propozimin tonë që çështja e kryeshefit të trajtohet me urgjencë, të merret obligimi nga Ministria e Ekonomisë që pagat e minatorëve të ekzekutohen çdo muaj më së largu deri me datën 10 dhe të punohet për kushtet e punës, gjë të cilën qeveria tashmë e ka marrë miratimin për aprovimin e kredisë për 20 milionë euro investime në Kombinatin Trepça”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka shtuar se atë ditë nuk ka pasur gatishmëri nga minatorët që kanë qenë në minierë që të dalin të diskutojnë dhe në emër të tyre kanë diskutuar përfaqësuesit e sindikatës, por kanë kërkuar dy çështje shtesë: e para shkarkimin e kryeshefit dhe emërimin tjetrit menjëherë, gjë të cilën nuk mund ta bëjë kryesuesja e Bordit dhe tjetra të rividohen të gjitha vendimet e kryeshefit.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se AAK mbështet mocionin që si pikë e rendit të ditës të jetë edhe greva e minatorëve.
Tahiri theksoi se është po ashtu e rëndësishme të diskutohet edhe për kërkesat e Policisë së Kosovës.
“Duhet me urgjencë të trajtohen këto çështje se nëse vazhdohet ky zinxhir i protestave atëherë vendi dhe institucionet janë duke u devalvuar…”, tha ai.
Nga grupi parlamentar i LDK-së, Arben Gashi tha se jeta dhe shëndeti i minatorëve është në rrezik dhe siç u theksoi ai “kërkesat e minatorëve janë minimaliste”.
“Minatorët e Trepçës ka më shumë se një javë që janë në grevë dhe jeta e shëndetit i tyre po rrezikohet. Andaj mendoj që me rëndësi është që Kuvendi ta shqyrtoj dhe të kaloj një rezolutë e cila i kërkon qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohen sepse kërkesat e tyre janë minimaliste. Çka kërkojnë ata, është që pagat t’i marrin në fund të muajit. Mendojmë që kjo duhet të trajtohet urgjent”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka propozuar që si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e sotme të hyjë miratimi i rezolutës për minatorët e Trepçës.
“Si Grup Parlamentar i PDK kemi proceduar me një kërkesë për debat me një rezolutë po ashtu që i përkrahë kërkesat e minatorëve. Tash e dhjetë ditë minatorët janë në grevë, dhe ne për dhjetë ditë nuk kemi dashtë me sjellë në Kuvend me politizua këtë çështje sepse i kemi dhënë kohë qeverisë që të zgjidh këtë çështje, dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se sot duke e pasur parasysh që edhe rregullorja e lejon kërkojmë që sot të hyjë si pikë e parë miratimi i rezolutës me të cilën Kuvendi kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve.

