Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë ndaj dy të dyshuarve për rastin e rrëzimit të kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës.
Ndaj zyrtarit komunal Y.J., që u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Atij i është ndaluar qasja në zyrat e Komunës së Prishtinës dhe po ashtu të kontaktojë me kolegët e tij të punës.
Siç ka bërë të ditur Gjykata masa vlen deri më 21 shkurt, e në rast të mosrespektimit të masës do t’i zëvendësohet ajo me masën e paraburgimit.
Ndërkohë ndaj përfaqësuesit përgjegjës të kompanisë punuese në vendpunishten e kompanisë në fjalë, B.B. është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej një muaji.
Çatia e ndërtesës së re të Komunës së Prishtinës është rrëzuar të enjten e javës së kaluar duke i shkaktuar lëndime të rënda një 23-vjeçareje. Krahas kësaj nga rrëzimi i saj janë demoluar shumë nga automjetet e parkuara afër ndërtesës. Për rrëzimin e kulmit zyrtarët komunalë kanë fajësuar erën e fortë.

