Pas vlerësimit të dhënë nga Komisioni i Venecias projektligji i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, tashmë ka kaluar edhe një hap tjetër drejt finalizimit.
Sot Projektligji i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë është miratuar në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës.
“Sapo miratuam Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ia dërguam në seancë për miratim në lexim të dytë!”, ka konfirmuar deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha.
Ai tha se është i kënaqur që ka qenë pjesë e grupit punues ku janë adresuar të gjitha rekomandimet e të Venecias, dhe aprovimi i tyre po bëhet në harmoni të plotë me standardet më të larta evropiane.
“Kjo uroj t’i gëzon edhe opozitën dhe të gjithë skeptikët tjerë që dyshonin në adresimin e komenteve të Komisionit të Venecias! Një falenderim i veçantë shkon për kontributin e shoqërisë civile, ambasadave dhe përfaqësuesëve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Uroj që në janar Kuvendi ta miratoj këtë projektligj dhe ta jetësojmë Agjencinë e shumëpritur që synon konfiskimin e aseteve që ju takojnë qytetarëve!”, ka shkruar Basha.

Me themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.