Britania e Madhe do t’u heq nënshtetësinë britanike të gjithë personave të përfshirë në krime, të cilët largohen nga vendi dhe nuk do të mund të futen më në Mbretërinë e Bashkuara. Mes personave që u është hequr nënshtetësia janë edhe shqiptarë të përfshirë në vepra kriminale.
Vendimi u morr nga Ministria e Brendshme britanike, e cila ka bërë thirrje që “kokat” e krimit të organizuar të largohen nga vendi përpara se t’u hiqet shtetësia britanike.
Kjo taktikë po përdoret nga autoritetet, në rastet kur policia nuk ka mundur të ndjekë penalisht shtetas të huaj të përfshirë në trafik droge, armë zjarri dhe trafik njerëzish dhe kanë marrë nënshtetësinë britanike.
Home Office punon me Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), e cila ofron një dosje inteligjence që Sekretari i Brendshëm përdor për t’i hequr shtetësinë individit nëse largohen përkohësisht nga vendi, duke e bërë të pamundur kthimin e tyre.
Është e paqartë se sa herë është përdorur kjo taktikë, por të paktën dy mbretër të dyshuar shqiptarë janë përpjekur pa sukses të apelojnë revokimet.
Media britanike Express shkruan për rastin e dy shqiptarëve, të cilët kanë apeluar vendimet, por që u është mohuar.
“Rasti i fundit i heqjes së nënshtetësisë britanike ishte për një shqiptar, emri i të cilit nuk mund të përmendet për arsye ligjore. Ai dyshohet se kishte organizuar kontrabandën në Mbretërinë e Bashkuar të qindra emigrantëve të paligjshëm shqiptarë nëpërmjet kamionëve dhe varkave të vogla përtej Kanalit. Ai hyri ilegalisht në MB në vitin 1999 duke pretenduar rrejshëm se ishte refugjat kosovar dhe më vonë iu dha nënshtetësia britanike. Në fillim të vitit 2020 ai u arrestua nga Policia e Kentit me dyshimin për pastrim parash. Në shtator të atij viti, Sekretari i Brendshëm Priti Patel i asaj kohe mori një vendim për t’i hequr nënshtetësinë ndërsa ishte në një udhëtim në Shqipëri. Shqiptari apeloi në Komitetin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC), por i hodhi poshtë pretendimin e tij pasi kishte parë informacione “sekrete” nga NCA.
Në vitin 2021, Fation Dauti, 38 vjeç, humbi një apel të ngjashëm në SIAC pasi iu hoq shtetësia pasi ishte “një anëtar me ndikim i një rrjeti kriminal shqiptar me bazë në Londër, i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, kontrabandën e njerëzve dhe pastrimin e parave”. Atij iu dha leja e përkohshme e qëndrimit në vitin 2012, sepse ishte i martuar me një shtetase letoneze të BE-së./rtsh


