Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka deklaruar se gruaja nga Llausha e cila u vra në janar të këtij viti nga bashkëshorti i saj, kishte kërkuar urdhër për mbrojtje nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, por se ndihmë nuk ka marrë për shkak se mbrojtësit e viktimave, sipas saj, kanë qenë në pushim të një feste.
E ftuar të martën në KTV, Breznica ka thënë se institucionet kanë dështuar ta mbrojnë rastin.
“Rasti i tillë ka kërkuar urdhër për mbrojtje nga mbrojtësit e viktimave, mirëpo mbrojtësit kanë qenë në pushim sepse ka qenë festë, prandaj edhe nuk janë gjendur për të bërë kërkesën për urdhër mbrojtje. Ky është një rast që ka përfunduar me fatkeqësi dhe gruaja është vrarë nga burri. Zonja nga Llausha ka kërkuar ndihmë disa herë, por institucionet tona kanë dështuar ta mbrojnë rastin”, ka thënë ajo.
Breznica ka shtuar se deri tani asnjë person nuk është larguar apo shkarkuar nga pozita për shkak të vrasjes së kësaj gruaje.
“Ne nuk kemi parë asnjë person të shkarkuar apo të larguar nga pozita për shkak se është vrarë një grua, ne nuk kemi parë asnjë largim apo shkarkim për rastin në Llaushë, nëse institucionet kishin vepruar me kohë dhe rregull, sigurisht që gruaja nga Llausha do të ishte ende gjallë dhe burri do ta vuante dënimin për veprat e tij”, është shprehur ajo.
Më tej Breznica ka thënë se gratë në Kosovë, para se të ndodhë akti përfundimtar, e raportojnë dhunën në familje.
Ajo shpreson se dënimi për burrin e viktimës, të merret edhe nga Gjykata e Apelit dhe të mos kthehet lënda në rigjykim.


