Koreja e Veriut ka gjuajtur një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të detit në brigjet lindore të Gadishullit Korean të dielën, sipas Koresë së Jugut dhe Japonisë, raportoi Reuters.
Raketa, e lëshuar nga zona Dongchang-ri në bregun perëndimor rreth orës 11:05 të mëngjesit, fluturoi rreth 800 kilometra përpara se të godiste një objektiv, sipas një deklarate ushtarake të Koresë së Jugut.
Seuli ka dënuar lëshimet e fundit të raketave balistike nga Veriu si një shkelje e qartë e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Menjëherë pas nisjes, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Koresë së Jugut tha se SHBA-ja vendosi një bombardues strategjik B-1B në një stërvitje të përbashkët ajrore, të cilën Seuli dhe Uashingtoni thonë se po e mbajnë për të forcuar parandalimin e zgjeruar.
“Sjellja e Koresë së Veriut kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe është e papranueshme,” tha në një konferencë shtypi ministri shtetëror i mbrojtjes i Japonisë, Toshiro Ino, duke shtuar se Japonia ka protestuar ashpër përmes ambasadës së Koresë së Veriut në Pekin.
Nderkohe autoritetet në Korenë e Veriut bëjnë me dije se në muajt e fundit 800 mijë persona, studentë, punëtorë ose ish-ushtarakë kanë shprehur gatishmërinë të regjistrohen në ushtri për të qenë gati për të luftuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lajmi u publikua në televizionin shtetëror të regjimit, disa ditë pasi Peniani testoi një tjetër raketë kontinentale për të kundërshtuar stërvitjen e përbashkët ushtarake mes SHBA dhe Koresë së Jugut.
Forcat koreano-jugore dhe ato amerikane nisën të hënën stërvitjen e përbashkët 11-ditore të quajtur “Mburoja e Lirisë 23”, e cila përfshin një numër të madh ushtarësh dhe mjetesh të sofistikuara.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha të enjten se stërvitjet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë çuar situatën në një “vijë të kuqe ekstreme” dhe kërcënojnë ta kthejnë gadishullin në një “arsenal të madh lufte dhe një zonë kritike lufte”.