Shefi i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thirrur takim të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare për të diskutuar sulmet e Iranit ndaj Izraelit.
Borrell, përmes një postimi në rrjetin social “X”, ka thënë se “qëllimi ynë është të kontribuojmë në frenimin e përshkallëzimit dhe sigurinë e rajonit”.
Në një postim tjetër, Borrell ka dënuar sulmet e Iranit ndaj Izraelit.
Ai i ka quajtur sulmet si një “përshkallëzim të paprecedentë”.
“BE dënon fuqishëm sulmin e papranueshëm iranian kundër Izraelit”, shkruan ai në rrjetin social X.
“Ky është një përshkallëzim i paprecedentë dhe një kërcënim i rëndë për sigurinë rajonale,” ka shkruar kryediplomati i BE-së, Borell derisa SHBA është angazhuar direkt duke rrëzuar dronët iranian për të parandaluar sulmet.
Gjithashtu, edhe Britania e Madhe është angazhuar duke dërguar aeroplanë dhe flotën e saj nga Qipro në drejtim të Lindjes së Mesme.