Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Ai ka thënë se është arritur performancë e mirë gjatë vitit të kaluar.
“Në viti 2021 ka arritur kthim në investime 227 milionë 10.7 për qind të vlerës së njësive. Në aspektin e operacioneve kemi pasur vit të suksesshëm dhe kemi marrë opinion të pastër nga auditori, pra auditori i jashtëm”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se 77 për qind e investimeve janë jashtë vendit.
Deputeti Ferat Shala i ka kërkuar Trustit t’i investojë paratë brenda vendit në energji e metale.
Morina i është përgjigjur se s’mund të bëhen investime në diçka tjetër përveç letrave me vlerë dhe depozitave bankare brenda vendit pasi vetëm këtë lloj investimesh e lejojnë ligjet në fuqi.
“Aktualisht ka një rënie të vlerës së njësive në bursë. Ka qenë deri në 5-6 për qind. Aktualisht është 5 për qind rënia”, ka thënë ai.
Driton Qehaja anëtar i bordit të Trustit ka thënë se për ta ulur rrezikun janë 500 milionë euro të tërhequra kesh si pasojë e rrezikut në tregje ndërkombëtare për të cilat presin momentin e duhur për t’i investuar.
Sa i përket rreziqeve ka thënë se ndoshta fondi kosovar qëndron më së miri në krejt globin.
“Në tregje angleze kanë qenë 30 për qind rënia”, ka thënë ai.
Ka thënë se gjithandej ka pasur rënie të vlerës së aksioneve në fonde pensionale.
Deputetja Jeta Statovci ka thënë se është pasqyrë mjaft pozitive, marrë parasysh se kthimi në investim është 10.7 për qind.
Ka thënë se indikacion i mirë është që numri i grave kontribuuese në trust ka shënuar rritje.
Anëtari i bordit të Trustit, Vërshim Hatipi ka thënë se është tendencë vit pas viti që të të rritet numri i grave që kontribuojnë në Trust.
Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka kërkuar sekretarin e SBASHK-ut në raportim.
Ai e ka kritikuar mosprezencën e anëtarëve të bordit të Trustit dhe ka pyetur pse Ymer Ymeri nuk ka ardhur për ta mbrojtur raportin e këtij institucioni.


