Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e ftuar në RTK Prime, ka folur lidhur me debatin me gazetarin Ilir Mirena, pas publikimit të një fotografie të Albin Kurtit gjatë përkujtimit të masakrës së familjes së saj. Ajo tha se fotografia është keqpërdorur dhe se ndaj saj është zhvilluar një fushatë e orkestruar nga disa gazetarë e analistë.
Ajo ka sqaruar se fotografia është realizuar gjatë përkujtimit të masakrës së familjes së saj, një ditë me peshë të madhe emocionale për të dhe familjen e saj. Në atë kohë, Kurti nuk ishte kryeministër, por kishte marrë pjesë në ceremoni si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje për të shprehur respektin e tij.
Sipas Bogujevcit, fotografia ka qarkulluar më parë në portale të ndryshme, por pas sqarimeve të saj kishte ndaluar së shpërndari dhe komentuar. Megjithatë, përdorimi i saj nga Ilir Mirena ka qenë i qëllimshëm dhe pa ndjeshmëri, duke mos marrë parasysh se bëhej fjalë për një moment të dhimbshëm personal.
“Reagimi im ka ardhur si rezultat i frustrimit, sepse nuk po respektohen kufijtë, sidomos nga gazetarë hulumtues që injorojnë ndjeshmërinë dhe sigurinë e asaj fotografie,” ka thënë ajo, duke shtuar se mënyra se si kjo çështje është trajtuar nga Mirena dhe disa analistë të tjerë e bën të besojë se bëhet fjalë për një fushatë të organizuar kundër saj.