Me mbi 9500 të vdekur tashmë është bilanci në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.
Zyrtarët deklaruan më parë se 6.957 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.547 në Siri.
Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të tërmeteve të fuqishme.
Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve, të cilët tashmë kanë më shumë se 48 orë nën rrënoja dhe shanset për t’i nxjerrë gjallë bëhen gjithnjë e më të pakta për shkak dhe të temperaturave të ulëta.
E gjithë bota është angazhuar për ndihmë, ndërkohë që ekipe kërkimi kanë mbërritur edhe nga Meksika.
Në solidarizim të viktimave të këtyre tërmeteve shkatërrimtar të gjithë flamujt e vendeve të NATO në selinë në Bruksel janë ulur në gjysmështizë, teksa edhe Kosova e ka shpallur ditën e sotme zi kombëtare.
Në një bilanc paraprak, organizata UNICEF vlerëson se vetëm në Siri kanë nevojë për ndihmë 7 milionë fëmijë, ndërkohë që ka dhjetëra shkolla dhe spitale të shkatërruara.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet që të vizitojë zonën e prekur nga tërmetet sot.
“Kjo është një prej fatkeqësive më të mëdha në rajonin tonë dhe në botë, jo vetëm në historinë e republikës sonë”, tha ai.