Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, duke vlerësuar lart rolin e tij në promovimin e paqes dhe dialogut ndërfetar.
“Me dhembshuri mora lajmin për ndarjen nga jeta të udhëheqësit të Kishës Katolike, Papa Françeskut. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai i shërbeu paqes, humanizmit, dinjitetit njerëzor dhe bashkëjetesës ndërfetare në mbarë botën,” ka deklaruar Tërnava.
Ai ka theksuar se Papa Françesku ishte një figurë e shquar e urtësisë dhe dialogut ndërfetar.
“Papa Françesku ishte një zë i fuqishëm i dialogut dhe urtësisë gjatë gjithë misionit të tij. Ai u angazhua me përkushtim për ndërtimin e urave të mirëkuptimit ndërmjet feve dhe popujve. Punoi pa u lodhur për promovimin e paqes dhe të vlerave fetare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që vijnë,” ka shtuar ai.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, të institucioneve të saj dhe në emrin personal, Myftiu Tërnava ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për shtetin e Vatikanit, Kishën Katolike në Kosovë dhe të gjithë besimtarët katolikë.
Tërnava ka rikujtuar edhe takimin që pati me Papa Françeskun në nëntor të vitit 2014, duke e cilësuar atë si një moment të paharrueshëm.
“Me nder dhe respekt kujtoj takimin që pata me Papa Françeskun në nëntor të vitit 2014 – një takim që u zhvillua në një atmosferë të sinqertë mirëkuptimi dhe u shënua nga mesazhe të thella për tolerancë, dialog dhe harmoni ndërfetare. Ky takim mbetet një kujtim i veçantë dhe një shtysë për të vazhduar rrugën e bashkëpunimit dhe të vlerave të përbashkëta,” ka përfunduar Tërnava.