Presidenti amerikan, Joe Biden, ka fituar me lehtësi zgjedhjet brendapartiake në New Hampshire, ani pse emri i tij nuk ishte në listën e kandidatëve.
Numër i madh i votuesve kanë shkruar vetë emrin e Bidenit duke shmangur poshtërimin e tij nga humbja përballë Dean Phillips, kongresistit demokrat.
Bideni ka shmangur zgjedhjet pasi New Hampshire refuzoi të ndërronte datën e zgjedhjeve, ashtu siç ishte urdhëruar nga Komiteti Kombëtar i Demokratëve.
Gara e parë zyrtare te demokratët mbahet në muajin shkurt në Karolinën e Jugut.
Përkrahësit e Bidenit kanë organizuar një fushatë me qëllim që të bindin votuesit që të shkruajnë vetë emrin e presidentit në fletëvotime.
Sipas rezultateve, Bideni ka fituar 67 për qind të votave, ndërkaq Philips vetëm 19 për qind.
Mirëpo vëmendja është te zgjedhjet republikane.
Donald Trumpi i është afruar fitores duke mposhtur Nikki Haleyn në New Hampshire, mirëpo ish-guvernatorja e Karolinës Jugore ka insistuar se do të vazhdojë garën dhe sipas saj mund të ndryshojë rezultatin në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.


