Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka kërkuar nga kadetët e rinj që kanë dhënë betimin dhe sot i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës që të mësojnë historinë e popullit tonë, sepse kështu do të mësohen edhe t’i shërbejnë atdheut më mirë.
Në Kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e betimit të kadetëve të rinj të FSK-së.
Në ceremoninë e betimit Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha historia e popullit tonë përmban luftën tonë për liri.
Ai tha se liria është kryefjala e kombit tonë, ndërsa , ndërsa FSK është e do të jetë në shërbim të paqes dhe sigurisë të stabilitetit rajonal.
“Së bashku do të qëndrojmë në mbështetjen e kadetëve tanë, në suksesin e tyre, në rrugëtimin e tyre dhe do të festojmë me dinjitet dhe krenari. Vendi ynë qoftë gjithmonë dashuria jonë më e madhe e jetës sonë. Ju urojmë të gjithëve sukses”, theksoi Mehaj.
Mehaj tha se për katër vitet e ardhshme kadetët e rinj do të edukohen për t’i shërbyer më nder atdheut.
“Që nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e deri tek Komandanti Legjendar Adem Jashari, populli ynë nuk pranoi asnjëherë nënshtrimin, por qëndroi në ballë lartë ndaj luftës kundër pushtuesve. Për liri jetojmë për liri vdesim dhe pa liri nuk ekzistojmë”, theksoi ai.
Mehaj shtoi e ripërsëriti se Ushtria e Kosovës, do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal.
“Ju do të jeni në shërbim të sigurisë dhe paqes dhe stabilitetit rajonal, krah për krah me njëri tjetrit dhe me miqtë tanë”, theksoi ai.



