Kosova ndonëse një vend në të cilin është punuar nga ana e institucioneve për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm që shpie në terrorizëm, vazhdon ende që të regjistrojë raste të cilat tregojnë për praninë e një ideologjie ekstreme në shoqëri.
Vetëm nga fundi i muajit prill 2025 deri më 23.05.2025, tetë persona janë arrestuar e intervistuar për shkak të bindjeve të tyre ekstreme të cilat mund të konsiderohen të rrezikshme.
Më 25.04.2025, njësia e anti-terrorit në Policinë e Kosovës, shoqëroi për intervistim katër persona nga Kaçaniku nën pretendimet se të njëjtit përmes rrjeteve sociale shpërndanë ideologji ekstreme që ndërlidhen me veprime kundër rendit kushtetues.
Vetëm pak ditë më vonë, dy vëllezër nga një fshat i Graçanicës u arrestuan për çështje të ngjashme. Madje ata tregonin një përkrahje të fortë ndaj grupeve terroriste saqë mbi shtëpinë e tyre kishin vendosur një flamur të ISIS.
Më 22.05.2025, policia zbarkoi në dy lokacione, Fushë Kosovë e Malishevë. Atje arrestoi dy persona të dyshuar për shpërndarje të propagandës, si dhe ideologjive ekstreme fetare që binin ndesh me rendin kushtetues në Kosovë.
E tashmë organet e rendit, kanë pranuar informacione të tjera, të cilat tregojnë për hapjen e disa faltoreve apo mesxhideve të cilat me rregull do të duhej të funksiononin si vend për falje apo vendtakim për besimtarët fetarë.
Mesxhidja e identifikuar në Mitrovicë
Të tilla janë identifikuar në Mitrovicë, Skenderaj, Viti, Fushë Kosovë, Gjilan, Prishtinë e në vende të tjera.
Por ajo çka alarmojnë drejtuesit komunalë por edhe imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës, është fakti se mesxhidet që janë hapur, janë ilegale dhe nuk funksionojnë nën juridiksionin e BIK-ut.
Ekipi i KALLXO.com ka udhëtuar drejtë Mitrovicës, një qytet i cili në të kaluarën pati probleme me indoktrinimin e të rinjve drejtë ideologjive ekstreme të cilat më pas u përdorën për të dërguar në zonat e konfliktit qytetarë të këtij qyteti nën pretendimin për luftë të shenjtë në Siri e Irak, krah organizatave terroriste.
Këtu është identifikuar një mesxhide e cila është hapur në zonën e qytetit, më konkretisht në rrethinën e stacionit të autobusëve.
Kryetari i Bashkësisë Islame Lokale në Mitrovicë, Ekrem Avdiu, publikisht tregon për hapjen e kësaj mesxhideje e për të cilën thotë se nuk dinë se kush e kontrollon.
“Nuk e kam idenë kush i kontrollon, nuk e di se kush i ka themelu kush i frekuenton ato, nuk e di madje as kush ligjëron dhe si rrjedhoje nuk mund të them se kush i kontrollon”- thotë Avdiu deri sa shton se ka një përshtypje se këto mesxhide ilegale janë hapur nga persona që nuk e shohin veten të përfaqësuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Avdiu shprehet se Mitrovica por edhe vendet e tjera nuk kanë nevoje për hapjen e këtyre mesxhideve sepse ka xhami të shumta ku mund të kryhen ritualet fetare.
“Më shumë e shoh si një lloj revolte të heshtur karshi BIK dhe kësisoj kanë marrë vendim që në mënyrë të pavarur të aranzhojnë dhe organizojnë faljen e namazeve teravive e kështu me radhë”- thotë ai.
Sipas tij, mënyra e hapjes së këtyre hapësirave të dyshimta të cilat nuk dihet se nga financohen dhe kush i kontrollon mund të krijoj një përçarje në shoqëri.
“Duke mos e ditur referencën kompetencën e atyre që ligjërojnë, çka ligjërojnë, mendoj se nuk jemi sa duhet të imunizuar që kjo mos të prodhoj edhe pasoja tjera në formë zinxhirore”- shton ai.
Tutje Avdiu thotë se në raste të tilla, interpretimet që bëhen nga persona që nuk janë kompetent mund të prodhojnë gatishmëri të qytetarëve për të shërbyer në kauza të ndryshme.
Kryeimami në Mitrovicë flet hapur edhe për informacionet që kanë për mesxhiden e identifikuar në vendin të cilin e ka kompetencë territoriale.
“Kam informacione të pakonfirmuara se ekziston edhe një i tillë në zonën e stacionit të autobusëve por nuk e kam verifikuar sepse edhe me dashtë nuk kam mekanizma për me verifiku por është përfolur për ekzistencën e një vend falje të tillë për të cilin unë edhe personalisht edhe institucionalisht nuk e di as kush e ka themelu as kush shërben në të as kush falet në të”- shpjegon ani.
Kryeimami ka njoftuar Bashkësinë Islame të Kosovës me shqetësim për shkak të situatave që mund të dërgojnë këto vend- falje.
“Kam njohuri që në rrethana të tilla mund të krijohen shumë kokqarje dhe si rrjedhojë e kemi një komunikim të ngushtë me kryesinë e BIK ndërsa në takime me institucionet e sigurisë, në fakt një pjesë e informacioneve na kanë ardhur nga ta dhe ata janë në dijeni se një vend-falje i tillë nuk është në juridiksion të BIK më tepër se kaq nuk kemi pasur as nuk kemi, as përgjegjësi as mekanizëm, thjesht mjafton që në një lidhje përfaqësimi me atë vend falje nuk ekziston me BIK”, sqaron kryeimami.
Ani pse niveli lokal komunal ka pak kompetencë në këtë çështje, siç thonë, të paktën mund të kryejnë inspektime dhe të vërtetojnë faktin se për këto mesxhide asnjëherë nuk kërkohet leje nga organet kompetente për çka edhe në fund konstatohen si ilegale.
Edison Ternava është drejtor i Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës. Ai thotë se asnjëherë komuna apo drejtoria që udhëheq nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për të hapur ndonjë mesxhide.
“Te ne asnjëherë nuk kemi pasur kërkesë zyrtare për hapje të tilla sepse e dim se çdo ndërrim i destinimit në zona të banimit duhet me u drejtu në urbanizëm të paktën mu pajisë me një pëlqim ose leje për me ndrru destinimin”, thotë Tërnava.
Ai shton se në çfarëdo forme kur komuna jep leje ndërtimi, nëse në atë ndërtim bëhet ndërrimi i destinimit duhet të njoftohet apo kërkohet leje e posaçme nga komuna.
“Kjo për faktin se ne lëshojmë leje ndërtimore për afarizëm edhe çdo objekt që i ndërrohet destinimi duhet me marrë pëlqim shtesë te ne. Janë ndërtuar fshehurazi, unë vet jam frekuentues i xhamive dhe deri vonë nuk kam ndëgju që ka mesxhide të cilat nuk i përfaqëson komunitetin e Bashkësisë Islame, as nuk e dimë kënd e kanë imam as kënd e kanë xhemat, nuk kemi kurrfarë informacioni”- shton tutje drejtori Tërnava.
Ai i sheh të rrezikshme këto mesxhide dhe funksionin e tyre pasi të njëjtat nuk punojnë nën juridiksion të Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Përderisa nuk janë në juridiksion të BIK për ne qytetarët duhet me qenë e rrezikshme, kjo për faktin se kemi një numër të madh të të rinjve që frekuentojnë xhamitë dhe mundet me qenë pikësynim i grupacioneve me kap këtë grup moshë dhe me i kthy ndoshta në një kohë të caktuar edhe si rrezik për shtetin e Kosovës”- thotë ai.
Sipas tij, të vetmen punë që duhet të merret komuna është inspektimi në terren dhe vërtetimi se si funksionojnë ato dhe nga kush financohen.
Tërnava flet edhe për rrezikun e shpërndarjeve të ideologjive të rrezikshme dhe ekstreme që mund të shpërndahen te të rinjtë, qytetarë të Mitrovicës.
“Çdo grup ose komunitet që nuk është grup i BIK mund të jetë rrezik sepse nuk përfaqësojnë ideologjinë fetare që ka BIK-u dhe çdo përfaqësim tjetër besoj se mund të jetë i dyshimtë, fillimisht shkon dyshimi se nga po financohen, hoxha kush është, nga financohet, cilin komunitet e përfaqëson, a janë personat të Mitrovicës apo qytetareve të tjera”, përfundon Tërnava.
Një mesxhide tjetër në Skenderaj
Një tjetër mesxhide është hapur edhe në Komunën e Skenderajt. Edhe kjo komunë nuk ka qenë imune në të kaluarën nga ideologjitë ekstreme fetare që shpien në vatra të luftës qytetarë për të luftuar krah organizatave terroriste.
Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura tregon se informacionet i kanë pranuar dhe kanë ngritur shqetësimet edhe te Bashkësia Islame Lokale.
“Është shqetësuese mënyra e funksionimit të këtyre vendeve të ashtuquajtura mesxhide. Në bazë të informacione e që i kemi trajtu ne kemi një rast të tillë që jemi marrë me komunikim të plotë me BIK-un në Skenderaj dhe që po presim hapa konkret”- thotë Nura.
Ai shton se BIK ka informacione dhe se janë duke punuar së bashku për të adresuar problematikën dhe e gjithë kjo për faktin se këto mesxhide punojnë jashtë ombrellës së BIK.
“Këtë çështje e kemi trajtuar para një viti dhe është një objekt në Skenderaj, është objekt privat dhe pak a shumë kemi informacione se kush e si por në këtë rast autoriteti qendror na është drejtuar që ata marrin përsipër këtë çështje ne jemi tërheq dhe e kemi pezullu duke pritur më pas edhe tani hapa konrekt”, tregon tutje Nura.
Në anën tjetër nga të gjitha xhamitë që janë në Skenderaj të gjitha funksionojnë nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës ndërsa rreziku që mund të vijë nga mesxhidet ilegale edhe Nura thotë se mund të qojnë drejtë rrezikut në ideologji ekstreme.
“Nga ajo çka kemi pa në kohën e fundit, format e rekrutimit në shërbime të huaja e që ndikojnë direkt në këtë drejtim duhet të jemi të kujdesshëm të bashkëpunojmë me institucionet përkatëse të sigurisë dhe vendimet ti marrim në mënyrë të vendosur dhe të pakthyeshme. Ju dhe opinioni publik e ka pa kohëve të fundit edhe investimin që bëhet në këtë drejtim për të krijuar përçarje dhe këto lloj organizime janë në kundërshtim me parimin e fesë islame nga ajo që kemi zyrtarisht por edhe në të njëjtën kohë krijon rrezikshmëri për shtetin në përgjithësi”- shton ai.
Mesxhidja pak metra larg objektit komunal në Viti
E edhe atje komuna tashmë është informuar për një mesxhide të dyshimtë vetëm pak metra larg objektit komunal.
Nënkryetari i kësaj komune, Hasan Aliu tregon se janë në fazën e mbledhjes së informacioneve konkrete për atë mesxhide.
“Çdo lokal i cili nuk ka leje nga dikush dihet që është lokal ilegal. Megjithatë të gjitha ato që nuk janë të pajisura me leje nga institucionet janë ilegale dhe duhet të eliminohen”, thotë Aliu.
Tutje ai shpjegon edhe se ende BIK nuk e ka zgjidhur problemin që kanë tashmë në dy fshatra Ramnishtë e Skifteraj për xhamitë që nuk janë nën ombrellën e BIK-ut.
“Nuk ka shku ai proces përpara ende është. Unë nuk e kam parë as në atë kohë problematike sepse vetë këshilli i BIK, nuk ka bërë hapa konkret me pa problematikë. Pse po them sepse kur ti e shpall konkursin dhe e zgjedh imamin dhe nëse imami që zgjidhet pengohet, atëherë unë e shoh problematikë që duhet me intervenu policia dhe me kriju kushte që ai me shku pa pengesë me kry punën të cilën e ka marrë nga BIK”, thotë tutje Aliu.
Për mesxhidet ilegale, Aliu thotë se kryesisht përdoren për manipulim të qytetarëve.
“Ata janë një shtresë që manipulohen (këta që hapin mesxhide) dhe konkretisht mendoj që është aspekti material që ndikon dhe jo pakënaqësitë tjera se[se këtu nuk është dukuri që po formohet që donë me i qu proceset edhe në BIK përpara. Unë nuk i shoh kështu. Këto grupe janë kryesisht grupe të manipulueshme apo thjesht të paguara nga qarqe të caktuara që nuk ja dojnë të mirën Kosovës edhe shoqnisë”- shton nënkryetari i Vitisë.
Në fund ai thotë se rreziku nga to mund të jetë i përgjithshëm dhe mund të ndikoj në jetën e qytetarëve të Kosovës.
Në një emision të Kallxo Pernime i transmetuar më 08.06.2024, teologu Fitim Fluga kishte folur për këto mesxhide ilegale që ishin hapur në disa vende të ndryshme të Kosovës.
Ai shpjegonte edhe se pretendohej se mesxhidet i takonin shkollës salefi.
“Këta më së shumti u takojnë shkollës juridike ‘hambelide’ që thirren janë të njohur si salefi”, kishte thënë Flugaj.
Por gjatë debatit u tha edhe se as vetë ata që kanë hapur mesxhidet nuk e dinë se cilës shkollë islame i takojnë apo përfaqësojnë.
Mesxhidet apo faltoret konsiderohet se janë hapësira të vogla ku bëhet falje e përditshme por nuk mbahet namazi i xhumasë dhe nuk ka funksion të plotë institucional. Mesxhidet hapen nga persona apo grupe të caktuara të cilat bëhen për nevoja të lokale por të njëjtat në Kosovë aktualisht janë bërë pa miratim të BIK-ut.
Kosova tashmë është duke vazhduar aktivitetet që janë ndarë te institucionet e vendit në kuadër të Strategjisë për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit.
Kjo strategji do të vlejë deri në vitin 2028 dhe institucionet në bazë të një plani të veprimit kanë të ndara detyrat e tyre.
Në bazë të strategjisë së miratuar, Kosova përveç që sfidohet me forma të tjera të aktiviteteve terroriste dhe edhe ajo me motive nacionaliste dhe politike, gjithashtu edhe me tendenca për të ndërhyrë në rendin kushtetues të Kosovës nga shtetet jomiqësore, vendi përballet edhe me terrorizmin me motive fetare.
Ndonëse format e terrorizmit tashmë kanë pësuar ndryshime, strategjia thotë se institucionet kanë ndërmarrë veprime si në aspektin e rregullimit ligjor e institucional, ashtu edhe në punën me komunitetin për të zhvilluar një qasje bashkëpunuese për t’u kundërvu ndaj këtyre ideologjive dhe narrativave që përhapen nga grupet, lëvizjet apo organizatat terroriste.
Strategjia ka paraparë që kohëve të fundit, rreziku nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm me motive fetare që shpie në terrorizëm është në ulje, ndërkohë që rreziku nga aktivitetet dhe sulmet eventuale me elemente të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit me motive politike apo nacionaliste është në rritje.
Kjo situatë është vlerësuar të jetë veçanërisht në veri të vendit, përmes sulmeve ndaj policisë, barrikadave, krimit dhe mbajtjes së organizatave ilegale si dhe të armatosura me qëllim përdorimin e tyre për kundërvënie të dhunshme dhe sulme ndaj policisë dhe institucioneve të tjera./