Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet dhe zëvendësministri i Arsimit, Arsim Berisha, ka vizituar sot kompaninë PAMBUKU SH.P.K., e cila qëndron pas brendit kosovar VISHUSHQIP.
Përmes një postimi, Berisha ka shprehur kënaqësinë e tij për zhvillimin e kompanive vendore, duke theksuar se mbështetja institucionale dhe programet qeveritare po japin rezultate konkrete në rritjen e bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Sot vizitova PAMBUKU SH.P.K., kompaninë që qëndron pas brendit kosovar VISHUSHQIP. Është kënaqësi të shohësh se si mbështetja institucionale, programi Superpuna dhe politikat për zhvillimin e biznesit po ndihmojnë kompani vendore të rriten, të punësojnë të rinj dhe të promovojnë produktet kosovare në mbarë botën”, ka shkruar Berisha.
Ai ka vlerësuar rëndësinë e vazhdimit të politikave që, sipas tij, ndihmojnë sektorin privat dhe fuqizojnë ekonominë vendore.
Në kuadër të fushatës zgjedhore, Berisha ka bërë thirrje për mbështetje më 7 qershor, duke theksuar se fokusi mbetet te puna, zhvillimi ekonomik dhe përkrahja e bizneseve vendore.
“Më 7 qershor, vazhdojmë me punë, zhvillim dhe mbështetje për bizneset vendore”, ka deklaruar ai.


