Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arsim Berisha, ka theksuar rëndësinë e investimeve në shëndetin e nënës dhe fëmijës, duke vlerësuar se kujdesi shëndetësor për këtë kategori nuk duhet të shihet si shpenzim, por si investim për të ardhmen e vendit.
Sipas Berishës, gjatë mandatit të qeverisjes janë ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e kujdesit ndaj nënave dhe fëmijëve, duke filluar nga periudha e shtatzënisë e deri në moshën gjashtëvjeçare. Ai ka theksuar se janë siguruar kontrolle të rregullta, vizita pas lindjes dhe përcjellje zhvillimore për çdo fëmijë.
Berisha ka bërë të ditur gjithashtu se është zgjeruar mbështetja profesionale për fëmijët përmes shërbimeve logopedike, fizioterapeutike, psikologjike dhe sociale, me qëllim të ndërhyrjes së hershme kur paraqitet nevoja.
Në kuadër të përmirësimit të sistemit shëndetësor, ai ka përmendur edhe zgjerimin e kalendarit të vaksinimit me tri vaksina të rëndësishme: kundër Rotavirusit, Pneumokokut dhe HPV-së, kjo e fundit me rol në mbrojtjen nga kanceri i qafës së mitrës.
“Po ndërtojmë një sistem shëndetësor që kujdeset për çdo nënë dhe çdo fëmijë, pa dallim”, ka deklaruar Berisha.


