Bekim Hamëz Jashari ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa individëve dhe politikanëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, kanë krahasuar veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit me krimet e regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Jashari i ka cilësuar këto deklarata si të turpshme dhe të papranueshme, duke theksuar se ato përbëjnë një fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar, veçanërisht kur vijnë nga persona që pretendojnë të jenë “shokë” të Kryekomandantit legjendar Adem Jashari.
“Kjo nuk është as padije dhe as lapsus politik, por fyerje e rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar,” ka deklaruar Jashari, duke shtuar se është e pakuptimtë të krahasohen krimet dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e një shteti sovran që po vendos rend, ligj dhe funksionimin e institucioneve në gjithë territorin e Kosovës.
Ai ka theksuar se veprimet e Qeverisë në veri synojnë shuarjen e strukturave paralele ilegale dhe forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke garantuar funksionimin e institucioneve shtetërore në çdo pjesë të Kosovës.
Sipas Jasharit, deklarata të tilla u shërbejnë drejtpërdrejt narrativave të Serbisë, e cila, siç tha ai, synon përçarjen e brendshme dhe dobësimin e shtetit të Kosovës përmes konflikteve të brendshme dhe relativizimit të krimeve të saj.
“Populli na njeh mirë. Historia nuk fshihet me deklarata ditore dhe as nuk rishkruhet për interesa politike,” ka theksuar ai, duke kujtuar se qytetarët e dinë qartë rolin dhe veprimet e secilit në momentet më të vështira për vendin.
Në fund, Bekim Jashari ka bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se politika duhet të shërbejë si mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo si instrument për përçarje dhe përfitime të ngushta partiake.
“Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra,” ka përfunduar Jashari.


