Mbrojtja e të dyshuarit për rastin e aferës së rezervave shtetërore- zyrtarit Irfan Lipovica, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Lipovicës, zyrtarit Hafiz Gara dhe biznesmenit Ridvan Muharremi, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ankesë do të ushtrojë edhe mbrojtja Muharremit dhe ajo e Garës.
Mbrojtësi i të dyshuarit Irfan Lipovica, avokati Feim Alaj, ka konfirmuar se bashkë me avokatin Durim Osmani, kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores.
Kurse, mbrojtësi i të dyshuarit Ridvan Muharremi, avokati Mahmut Halimi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se gjatë ditës do të ushtrojë ankesë lidhur me masën e paraburgimit për të mbrojturin e tij.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të dyshuarit Hafiz Gara, avokati Bekim Kelani, bëri të ditur se do të ushtrojë ankesë kundër vendimit të Themelores për caktimin e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndryshe, vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka marrë më 19 gusht 2023, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurit I.L dhe H.G për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i pandehuri R.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Themelores.
Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Po ashtu, Kryeministri Albin Kurti kishte publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.
Gjuhë të njëjtë ka përdorur edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle. E akuza për Prokurorinë Speciale hodhën edhe ministra e deputetë tjerë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.


