Bashkimi Evropian dhe të 27 shtetet anëtare mbeten të bashkuara në kërkesën e tyre për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në Ukrainë, një hap për të cilin Ukraina ra dakord më shumë se 60 ditë më parë.
Dhe BE është e përgatitur të shtojë presionin mbi Rusinë për ta shtyrë atë drejt një armëpushimi dhe një zgjidhjeje paqësore.
Kjo u deklarua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas përpara takimeve të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së që përfshijnë ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm, shkruajnë mediat e huaja,
“Së pari, për Ukrainën: Mendoj se është e rëndësishme, siç e kemi thënë të gjithë – 27 prej nesh – që të ketë një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar. Ukraina tashmë është dakorduar për këtë më shumë se 60 ditë më parë. Dhe kemi rënë dakord që nëse Rusia nuk pajtohet, siç e pamë dje, atëherë do të ushtrojmë më shumë presion. Do të biem dakord për paketën e 17-të të sanksioneve sot, por vazhdojmë të punojmë për paketën e ardhshme të fortë të sanksioneve për të ushtruar më shumë presion mbi Rusinë në mënyrë që edhe ajo të dëshirojë paqe”, ka theksuar Kallas.
Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me telefonatën e fundit midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin, Kallas theksoi se SHBA-të kishin deklaruar më parë gatishmërinë e tyre për të vepruar me vendosmëri nëse Rusia nuk do të binte dakord për një armëpushim – siç ka bërë tashmë Ukraina.
BE-ja pret të njëjtin “veprim të fortë” nga SHBA-të.
“Amerika tha se nëse Rusia nuk bie dakord për një armëpushim pa kushte, atëherë do të ketë pasoja. Pra, ne duam t’i shohim këto pasoja, edhe nga pala amerikane”, vuri në dukje ajo.
Siç është raportuar më parë, të hënën, më 19 maj, Trump dhe Putin zhvilluan një telefonatë dy-orëshe.
Pas bisedës, Trump tha se Rusia dhe Ukraina duhet të fillojnë menjëherë bisedimet për armëpushim dhe të punojnë drejt përfundimit të luftës.
Megjithatë, Trump refuzoi të rrisë sanksionet ndaj Rusisë, duke deklaruar se ende ekziston “një shans” për përparim në negociatat e paqes.
Pas telefonatës, Putin pretendoi se Rusia është gati të punojë me Ukrainën për një memorandum që përshkruan kushtet për një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen, duke përfshirë parimet e zgjidhjes, një afat kohor për marrëveshjen dhe një armëpushim të mundshëm të përkohshëm nëse përmbushen kushte të caktuara.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha më vonë se nuk e di se çfarë parimesh po propozon Rusia në atë memorandum.