Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor, tre qytetar dhe ka suspenduar dy eprorë të Policisë në Dragash.
Kjo pasi që bashkë me disa qytetarë polici ka sulmuar një të dyshuar dhe zyrtarët policorë që e kishin sjell atë në Stacionin e Policisë në Dragash.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve, është informuar se në ambiente të Stacionit Policor Dragash, deri sa policia e kishte sjellë një të dyshuar në stacionin policor, policia dhe i dyshuari ishin sulmuar nga disa persona. Së bashku me qytetarët që kanë sulmuar të dyshuarin me të cilin kanë pasur konflikt ka qenë edhe një zyrtar policor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Në njoftim thuhet se IPK-ja menjëherë ka dalë në vendngjarje dhe ka intervistuar palët dhe se është njoftuar edhe prokurori kujdestar. “Me urdhër të prokurorit pas intervistimit janë ndaluar katër të dyshuar, një pjesëtarë i PK-së me gradë zyrtar policor i ri dhe tre persona tjerë civilë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast, siç thuhet, për menaxhim të dobët të rastit dhe dështim në ofrimin e sigurisë së të dyshuarit, me rekomandim të IPK-së janë suspenduar shefi i hetimeve të stacionit dhe shef i ndërrimit.
IPK-ja ka njoftuar se do të ndërmarrim edhe veprime tjera hetimore.


