Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial së bashku me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Në një postim, Basha ka thënë se në këtë përvjetor janë nderuar 45 martirët dhe 11 dëshmorët e Reçakut, sakrifica e të cilëve, sipas tij, do të mbetet përgjithmonë në kujtesën kolektive dhe institucionale si themel mbi të cilin është ndërtuar liria e Kosovës.
Ai ka theksuar se Reçaku vazhdon të jetë një plagë e hapur, pasi drejtësia ende nuk është vënë në vend. Sipas Bashës, kjo ditë kujtese rrit përgjegjësinë për të mos harruar krimet e së kaluarës dhe për të kërkuar drejtësi pa kompromis.
“Bashkësia ndërkombëtare ka bërë një punë të mirë me intervenimin e saj, por jo edhe me sjelljen e autorëve të këtyre krimeve para drejtësisë”, ka shkruar Basha, duke nënvizuar se mbrojtja e lirisë, paqes dhe të drejtave të qytetarëve mbetet obligim i vazhdueshëm.
Ai ka përfunduar se e vërteta dhe drejtësia për Reçakun janë obligim moral dhe historik, për të cilin, sipas tij, institucionet dhe shoqëria nuk do të ndalen së kërkuari derisa të vendosen plotësisht.


