KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » Balotazhi që mund të riformësojë hartën politike të Kosovës
Politikë

Balotazhi që mund të riformësojë hartën politike të Kosovës

Kosova News
Kosova News 18:44 -08/11/2025
Shpërndaje
Shpërndaje

Të dielën, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të rikthehen në qendrat e votimit për të përcaktuar se kush do t’i udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, njëzet komuna siguruan kryetarë të rinj, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin në balotazhin e 9 nëntorit.

Në këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.

Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

Prishtina dhe Prizreni – garat më të forta

Kryeqyteti mbetet arena kryesore e përplasjes politike.

Për më shumë se një dekadë, Prishtina ishte simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Këtë herë, balotazhi zhvillohet mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (LVV), me një diferencë minimale në rundin e parë – vetëm 0.5 për qind.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me kandidatët – shkon përtej kandidatëve dhe lidhet me luftën e partive për pushtetin e tyre në kryeqytet, ndërtimin e bazës zgjedhore dhe krijimin e një bastioni politik në këtë komunë”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG).

Prishtina, si komuna më e madhe e vendit, ka rëndësi ekonomike dhe politike, duke e kthyer fitoren aty në avantazh strategjik për çdo parti.

Kjo, sipas Eminit, bën që fitorja në kryeqytet të përkthehet “në pushtet dhe ndikim në nivel nacional”.

Pas Prishtinës, gara më e vëmendshme zhvillohet në Prizren, ku përballen Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Artan Abrashi nga LVV-ja.

Megjithëse Prizreni është komuna e dytë për nga rëndësia, sipas Eminit, koalicioni lokal mes LDK-së dhe PDK-së, si dhe epërsia e Totajt në rundin e parë, kanë bërë që Vetëvendosje “të mos investojë aktivisht në këtë garë, duke e kanalizuar energjinë në komunat ku ka më shumë gjasa”.

Mitrovica e Jugut – sfidë për bastionin tradicional

Një garë tjetër e rëndësishme, sipas Eminit, do të zhvillohet në Mitrovicën e Jugut, mes Faton Pecit të LVV-së dhe Arian Tahirit të PDK-së.

Emini e konsideron këtë betejë si veçanërisht të rëndësishme për Vetëvendosjen dhe për udhëheqësin e saj, Albin Kurti.

“… sepse Kurti e ka zhvilluar garën nacionale me ndryshimin e situatës në Mitrovicën e Veriut, si narrativ. Angazhimi i kandidatit më të fortë të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo (Faton Peci) tregon rëndësinë që kjo garë ka për partinë. Kjo sfidon direkt bastionin e PDK-së – gjë që është shumë domethënëse”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Roli i profilit të kandidatëve

Në zgjedhjet lokale, roli i individit shpesh rezulton vendimtar.

Sipas Eminit, rasti i Ramiz Lladrovcit në Drenas e ilustron qartë këtë.

PDK-ja, pjesë e së cilës ishte Lladrovci, vendosi për kandidat në garë Petrit Hajdarin.

Lladrovci, i cili deri atëherë ishte kryetar, i hyri garës me një nismë qytetare dhe e fitoi atë që në rundin e parë.

“Kjo tregon qartë se kandidatët kanë rëndësi të madhe”, thotë Emini.

Një shembull tjetër, sipas saj, është edhe Përparim Rama në Prishtinë.

“Rasti i Përparim Ramës tregon ndikimin e një fytyre të re që vjen në një parti si LDK-ja nga jashtë Kosovës. Përkundër të gjitha pritshmërive, kandidati fitoi, dhe profili i tij kishte rëndësi jo vetëm për shkak të vetë figurës, por edhe për mbështetjen e partisë. Pra, kombinim i faktorëve”, shpjegon Emini.

Hartë e re politike në horizont?

Rezultatet e balotazhit pritet të ndikojnë ndjeshëm në hartën politike të Kosovës.

Në shumë komuna, diferencat janë minimale, dhe çdo koalicion lokal mund të përmbysë rezultatin.

Në Prishtinë, për shembull, vendimi i kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili, për qëndrimin neutral apo përkrahjen eventuale të njërës palë, mund të përcaktojë fituesin.

“Koalicioni eventual mund ta ndryshojë situatën në terren”, thotë Emini.

Ajo shton se Vetëvendosja po përpiqet ta zgjerojë ndikimin lokal, veçanërisht në zonat ku më parë nuk kishte bazë të fortë.

LVV-ja garon në balotazh në 12 komuna – në dy prej tyre si e para, në dhjetë si e dyta.

Në zgjedhjet e vitit 2021, kjo parti kishte fituar vetëm në katër komuna.

“Shembull është targetimi dhe investimi në Mitrovicën e Jugut, duke tentuar për të zvogëluar PDK-në në një nga bastionet e saj. Nëse (LVV-ja) ka një fitore eventuale edhe në Vushtrri, atëherë e sfidon edhe më shumë (PDK-në)”, thekson Emini.

PDK-ja dhe LDK-ja, në anën tjetër, janë përqendruar në mbajtjen e komunave që i konsiderojnë bastione tradicionale.

“Këto parti janë duke luajtur në mbrojtje, duke u përpjekur t’i mbajnë bastionet e tyre. Ndërsa Vetëvendosje po përdor një lojë më strategjike dhe të fuqishme, me përfshirje aktive edhe të kryeministrit në detyrë (Albin Kurti)”, thotë Emini.

Zgjedhjet lokale si pasqyrë e skenës qendrore
Historikisht, votuesit në Kosovë kanë bërë dallime midis zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore.

Megjithatë, Emini vëren se lidhjet midis sjelljes lokale dhe strategjive nacionale po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Vetëvendosje, sipas saj, po punon me qëllim për të zgjeruar kontrollin komunal, ndërsa partitë e tjera po përpiqen t’i ruajnë territoret e tyre politike.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së e ilustron mirë këtë dinamikë. Ai pasqyron një model tashmë të njohur në politikën kosovare, ku Vetëvendosje dhe disa parti më të vogla përballen në thelb me një front të bashkuar të elitës së vjetër politike kundër tyre – me disa përjashtime të vogla në nivel lokal”, thotë Emini.

Edhe pse mbetet e paqartë nëse këto marrëveshje lokale do të çojnë në koalicione të reja në nivel qendror, Emini nuk e përjashton mundësinë.

“Prirja e PDK-së dhe LDK-së për të bashkëpunuar në ruajtjen e pozitave të tyre, mund të sinjalizojë edhe mundësi të bashkëpunimeve të ngjashme në skenën qendrore”, thotë analistja.

Polarizimi politik dhe pritjet për të ardhmen
Zgjedhjet e këtij viti, si ato parlamentare apo lokale, kanë dëshmuar polarizimin e skenës politike në Kosovë.

Vetëvendosja ka ruajtur narrativin “ne kundër të gjithëve”, ndërsa partitë tradicionale po përpiqen t’i mbrojnë pozitat ekzistuese, thotë Emini.

Sipas saj, rezultati i balotazhit do të jetë një tregues i rëndësishëm për të gjitha partitë, për të kuptuar ku qëndrojnë në raport me elektoratin dhe si duhet t’i përshtatin strategjitë për zgjedhjet nacionale – nëse mbahen sërish.

Në këtë kohë, LVV-ja po përpiqet ta formojë Qeverinë e re me Glauk Konjufcën si mandatar për kryeministër, ndërsa partitë e tjera kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Ndaj, edhe balotazhi merr dimension të dyfishtë: lokal në dukje, por thellësisht politik në ndikim.

Gjithashtu lexoni:

Zulfaj takon shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë

Hoti: Me reformën në mirëqenie sociale hiqet kriteri i moshës pesëvjeçare

Stuhia e fortë shkakton dëme në qytetin e Suharekës

​Nga pezullimi te kthimi, ja çfarë kërkon ShBA nga Kosova për dialogun strategjik

Presidenca del me sqarim për shpenzimet zyrtare për periudhën prill–qershor 2026

Kosova News 08/11/2025 08/11/2025
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
16°C
Pristina
moderate rain
16° _ 16°
91%
1 km/h
Wed
24 °C
Thu
25 °C
Fri
17 °C
Sat
24 °C
Sun
25 °C

Lajmet e Fundit

Zulfaj takon shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë
22:39 -21/07/2026
Kosova dhe Malta forcojnë bashkëpunimin nëpërmjet bibliotekave të fëmijëve
21:56 -21/07/2026
Renditja e re e FIFA-s, Kosova renditet në pozitën e 78-të
21:53 -21/07/2026
Vdes një 61-vjeçar në Viti, rrëshqiti në ballkon gjatë motit të lig
20:47 -21/07/2026
Inspektorati i Punës ndalon punimet në 16 vendpunishte në pesë komuna
19:51 -21/07/2026
Follow US
IMPRESSUM:

KOSOVA NEWS - portal i pavarur informues e hulumtues

BOTUES: KosovaNews sh.p.k. (NUI: 811928152)

Drejtor e kryeredaktor: Jeton Sopa. Gazetare: Beslinda Rexhepi.

Tel: 038 600 149, WA: +38346100004.

E: [email protected]

ADRESA: Rr. Rexhep Mala nr. 18/1 ° Prishtinë, 10060 ° RKS

MARKETING & PARAPAGIM:

Banner ° Reklamë ° Video produkcion

Parapagim: Pako 1 ° Pako 2

Shkruani në: [email protected]

LLOGARITË BANKARE:

1. TEB Bank Sh.A. (Kosovë)

Acc: Kosovanews shpk

No: 2011 0002 1188 9556

2. PaySera (EU, SEPA)

Acc: Kosovanews

No: LT273500010018388807

SWIFT: EVIULT2VXXX

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?