Kryetari i Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, deklaroi se situata e tanishme politike në Kosovë është sfiduese, derisa iu bëri thirrje palëve që t’i zgjidhin mospajtimet me dialog.
Ai deklaroi të hënën se Marrëveshja e Ohrit, e arritur më 18 mars, është hap i rëndësishëm për të ecur tutje, ndërsa shtoi se palët duhet të afrohen.
“Çka është sfiduese është situata e tanishme në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë janë një prej sfidave që duhet të zgjidhen gjatë rrugës së dialogut dhe ne çdo herë do të përpiqemi që për të dyja shtetet të ofrojmë një mundësi që t’i afrohen një hap më tutje njëri-tjetrit. Edhe marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishëm dhe shpresojmë që të dy shtetet të bëjnë një interpretim të njëjtë të kësaj marrëveshjeje dhe këto do të japin mundësinë të planifikojnë edhe për të ardhmen. Austria edhe në këtë aspekt mund të jetë shembull për Kosovën, nëse mendoni edhe për historinë e shekullit të 20-të”, deklaroi ai.
Sipas Sobotkas, serbët e Kosovës do të duhej të merrnin pjesë në zgjedhjet lokale pasi kjo është përgjegjësi dhe e drejtë demokratike.
Ai tha se shumë shtete në botë s’e kanë mundësinë e votimit, e vendet demokratike, “duhet të shfrytëzojnë këtë të drejtë”.
Kryeparlamentari i Austrisë shtoi se Kosova është zhvilluar shumë viteve të fundit, e Austria është investitorja e katërt më e madhja në Kosovë.
“Atë që Kosova e ka arritur në vitet e fundit është mbresëlënëse. Për fat të mirë, më 1 janar 2024 bëhet realitet liberalizimi i vizave dhe ky është një përparim i madh. Të arrihet edhe një anëtarësim në Këshillin e Evropës që është miratuar në Këshillin e Ministrave. Kjo është mënyra e diplomacisë dhe e demokracisë”, shtoi ai.
Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili po qëndron për një vizitë në Prishtinë, ka thënë se Marrëveshja e Ohrit thotë se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Me sa di unë marrëveshja e Ohrit thotë se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Unë mendoj posaçërisht anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vendimtar për Kosovën, sepse aty janë përfaqësuar më shumë shtete sesa që janë në Bashkimin Evropian dhe ne po shohim në situata të ndërlikuar dhe ndjeshme Këshilli i Evropës merr vendime dhe masa shumë qenësore që kanë ndikim afatgjatë”, u shpreh Sobotka.
Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se është e papranueshme sjellja e Serbisë karshi Kosovës.
Konjufca ka thënë se Serbia nuk po e zbaton atë që po nënshkruan dhe se po do që ta krijojë një “republikë serbe” brenda Kosovës. Këtë e ka quajtur të gabueshme dhe të papranueshme.
Në konferencë për media pas takimit që pati ai me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, ka shtuar se ka Austria i qëndron Kosovës pranë nëpër të gjitha fazat dhe sfidat që i kalon si shtet në arenën ndërkombëtare.
“Ia ngrita shqetësimin kryetarit Subotka për sjelljen e papranueshme të shtetit serb, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Kosova me shumë vullnet të mirë e pranoi marrëveshjen e Ohrit, por ne po jemi dëshmitarë se si Serbia e lexon krejtësisht në mënyrë të kundërt marrëveshjen që e ka pranuar prej asaj që e lexon Republika e Kosovës. Është e shkruar e zeza në të bardhë që kjo marrëveshje i përmban dy dimensione, shtylla e parë është njohja de facto e Serbisë për Kosovën, kjo është shtylla substanciale politike e marrëveshjes. Të sillesh si Serbia, ta hedhësh poshtë krejtësisht dhe absolutisht këtë shtyllë substanciale dhe të thuash se për ta nuk vlen kjo pjesë, e kërkojnë me ngulm një republikë serbe brenda Kosovës, kjo është mënyrë fort e gabueshme dhe e papranueshme e leximit të marrëveshjes që e kanë pranuar palët”, ka deklaruar ai.


