Kurti-deputetëve: A është ndonjëri prej jush që s’pajtohet me gjashtë pikat për Asociacionin
Kryeministri Albin Kurti në Kuvend sot ka prezantuar gjashtë pika si kushte për pranimin e themelimit të Asociacionit.
Kjo shkaktoi debat mes tij dhe deputetëve opozitarë, të cilët e akuzuan se e ka pranuar Asociacionin.
Kurti tha se duhet të deklarohet dikush nga deputetët nëse dikush prej tyre s’pajtohen me këto pika.
“Këto kushte s’janë ato që i thotë Gjykata Kushtetuese, i thotë kryeministri i Kosovës dhe besoj që pajtoheni. A ka ndonjë prej juve si deputetë që mendoni që ndonjë prej këtyre gjashtë kushteve që sapo i lexova Kurti duhet ta heqë”.
Kjo ka nxitur edhe replika dhe kundër-replika mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku.
Në replikë me Abdixhikun dhe deputetët e opozitës, Kurti tha se Zajednica nuk kalon.
“Unë e kam të qartë që ju keni qejf me ju bo Zajednicën. Por, Zajednica nuk kalon”.
Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend ka dhënë gjashtë pika si kushte për Asociacionin në marrëveshjen me Serbinë.
Pas prezantimit të këtyre gjashtë pikave, Abdixhiku tha se Kurti pranoi themelimin e Asociacionit.
Abdixhiku në fjalën e tij tha se kryeministri më shumë ka biseduar me presidentin e Serbisë për këtë temë se që ka diskutuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës në parlament.
Ai tha se Kurti e pranoi sot Asociacionin e komunave serbe.
“Asociacioni po behët. Këto gjashtë kushte kanë një emër. Janë pjesë e marrëveshjes së viti 2015”, tha Abdixhiku.
Pas kësaj, ka reaguar sërish Kurti duke thënë se është e padrejtë nga Abdixhiku që të përmendet vetëm një kusht, derisa i ka listuar edhe pesë të tjera.
“Abdixhiku qëllimisht po deformon fjalimin tim”, tha kryeministri, derisa ripërmendi gjashtë kushtet për zbatimin e Asociacionit.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën por janë edhe pesë kushte të tjera. Ai nuk bën të jetë monoetnik. Çfarëdo të drejte që kanë serbët në Kosovë duhet të kenë edhe në serbi. Armët ilegale duhet të dorëzohen dhe strukturat duhet të shuhen”.
Kurti thotë se Asociacioni mund të zbatohet pasi Kosova të njihet nga Serbia në bazë të kartës së OKB.
Ai thotë se Serbia duhet të tërheq letrat që ka dërguar te pesë vendet e BE-së për mosnjohjen e Kosovës.