Kryeministri i vendit Albin Kurti ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen e arritur mbrëmë në Bruksel, me ç’rast tha se kjo është një arritje e madhe pasi është arritur që të kthehet në agjendë diskutimi për marrëveshjen për normalizim.
Kurti, ka thënë se ata që thonë se ajo që nuk u pranua të hënën në Bruksel, u pranua të mërkurën (dje), nuk po e dinë për çka po flasin.
“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejtë arritjes së një dakordimi, që shtetit tonë ai bashkëngjet edhe një dokument. Ishte e qartë deklarata e Borell se një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në takimin e ditës së hënë dhe tashmë ajo është aty. Kjo është një arritje e madhe sepse marrëveshja hyn në agjende dhe i jep fund kësaj gjendje”, tha mes tjerash Kurti.
Kurti, ka thënë se deri te arritja e marrëveshjes me Serbinë për targat të mërkurën ka ardhur pasi përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka ndryshuar deklaratë nga ajo e ditës së hënë kur dështoi marrëveshja.
“Të hënën në mbrëmje është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët dhe fjala Francë-Gjermani nuk ka qenë askund, pos çështja e targave. Ata që thonë që ajo nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin. Nuk është marrëveshje, është dakordim. Është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë”, ka thënë Kurti të enjten para deputetëve në Kuvend.
Ai foli edhe për braktisjen që një pjesë e serbëve braktisën institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu Listën Serbe, deputetët e të cilës dorëzuan mandatet dhe pas pak ditësh erdhën dhe dhanë betimin deputetë tjerë nga kjo listë.
“Kthimi është çështje ligjore e kushtetuese. Pra kthimi i atyre në institucione nuk mund të bëhet politikisht. Unë kam bërë thirrje mos të bëhet braktisja. Unë nuk dua të kemi institucione një etnike. Pro edhe pse kanë shkuar ata kemi ende serbë në institucione. Po ashtu kemi edhe pakica tjera, si turqit, boshnjaket, malazezet dhe ashkalinjt, romët, egjiptasit. Unë kam thënë e them mos shkoni, por nuk m mund të them kthehuni”, ka thënë ai.