Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe General Electric (GE) kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B, me vlerë 56.2 milionë euro.
Marrëveshja u cilësua shumë e rëndësishme edhe nga vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm.
“Jemi këtu për ta shtruar rrugën legjislative dhe strategjike për sektorin e energjisë. Nënshkrimi i sotëm shënon një ngjarje të rëndësishme për një ndër shtyllat kryesore të energjisë në Kosovë, KEK-un”, tha Kurti.
Ai thekspi se njësitë e termocentralit filluan të konstruktoheshin para më shumë se gjashtë dekadash dhe që atëherë, ato kanë ofruar stabilitet në furnizimin me energji të vendit.
“Madje, ato janë shfrytëzuar përtej kufijve të tyre të funksionimit. Shpeshherë edhe KEK-u na ka thënë se rrezikohen që të mos funksionojnë më. Kosova B si termocentrali më i ri e ka bartur më së shumti ketë peshë. Ceremonia e sotme është një ndër hapat më të rëndësishëm për t’ia hequr këtë barrë, ta rrisim sigurinë tonë të furnizimit dhe stabilitetit të sektorit të energjisë”.
“Rëndësia e modernizimit nuk mund të theksohet aq sa duhet. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 në 17 megavat. Nuk do të ketë nevojë për riparime të shpeshta, do të nevojiten njëherë në tetë apo nëntë vite”.
Kryeministri Kurti njoftoi se në fund të këtij muaji do të lansohet ankandin i parë i energjisë në Kosovë në tokë publike me kapacitet 100 MW, se pas tij, së shpejti do të pasojnë edhe shumë skema të tjera të tilla konkurruese.
Të gjitha këto, bashkë me projektet tjera në zbatim si ai Solar4Kosova dhe i ndërtimit të kapaciteteve akumuluese në kuadër të grantit të MCC, do të sigurojnë efikasitet dhe qëndrueshmëri më të madhe jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ekonominë dhe për sigurinë kombëtare, u shpreh kryeministri Kurti, i cili po ashtu tha se mirëmbajtja e përgjegjshme e pronës publike dhe e aseteve tona energjetike – si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit të tyre – është një domosdoshmëri.