Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj shkyçjes së qindra bizneseve nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike nga ana e KEDS-it, duke e cilësuar këtë veprim si një formë persekutimi ndaj sektorit privat.
Gjatë një konference për media, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se ky veprim pasqyron dështimin e politikave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ajo tha se shkyçja e dhunshme e kompanive nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike është persekutim dhe politikë që shkon vetëm në favor të mafisë energjetike në vend.
Bajrami i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione siç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe të tjera që kjo politikë sipas saj të mos kalojë dhe assesi të mos mbetet e pa ndëshkuar.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se qytetarët e Kosovës deri më tani kanë paguar qindra miliona euro kompanisë NOA, si tha ajo me vetëm dy punëtorë.
Anëtarja e kryesisë të LDK-së në Ferizaj, njëkohësisht eksperte e energjisë, Janina Ymeri tha se për të gjitha ato biznese që sot po u shkëputet energjia elektrike po shpenzohen çerek milionë euro në ditë për transport. Në këtë rast, sipas saj po fitojnë në baza ditore kompani nga Maqedonia e Mali i Zi.
Ymeri tha se janë kërkuar kontratat për shitblerje të energjisë elektrike porse nuk kanë marrë përgjigje.
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e mbi 1.400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kjo e fundit kishte njoftuar se shkyçjet do të nisin më 16 gusht. Kjo pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ZRRE-së.
Sipas njoftimit, mbi 600 njehsorë smart do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të shkyçet fizikisht nga ekipet e KEDS-it në terren në të gjithë Kosovën.


