Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar ashpër ndaj disa raportimeve mediale që pretendonin se ai posedon pasuri të paluajtshme jashtë kufijve të Kosovës, konkretisht në Mal të Zi.
Duke i përmendur në veçanti portalet si “Nacionale” dhe “Insajderi”, Bajqinovci i ka cilësuar këto raportime si vazhdimësi të një fushate shpifëse ndaj tij dhe familjes së tij.
Ai ka mohuar kategorikisht se posedon ndonjë pronë jashtë vendit, duke i quajtur “rrena të qëllimshme”.
Postimi i Plotë:
Sqarim
Të njëjtat media që me herët shpifën se kinse e kam punësuar vëllanë në KEK, pastaj u morën me gruan, dje paskan “cituar qytetarë” kinse kam shtëpi në Mal të Zi.
Une nuk kam asnjë shtëpi, asnjë pronë dhe asgjë jashtë Kosovës.
Është shqetësuese se si disa media citojnë burime anonime pa bërë verifikimin më bazik, pa më kontaktuar fare për të pyetur nëse kjo është e vërtetë. Kjo nuk është gazetari, por shpërndarje e qëllimshme e rrenave.
Nacionale, Insajderi etjj mund të citojnë këdo, por pa e marrë përgjigjen time kanë plasuar gënjeshtra rreth një prone që nuk ekziston.
Ju them me plotë përgjegjës se asnjë pronë, shtëpi apo banesë nuk posedoj jashtë Kosovës. Pra, të gjitha janë gënjeshtra.


