Seanca në Speciale ndaj të akuzuarit Pjetër Shala, ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit të mbrojtur të prokurorisë. Fillimisht kryetarja e trupit gjykues, kërkoi që sa më pak të ketë seanca të mbyllura, meqë edhe materialet janë mjaft të redaktuara.
Më pas, prokurori vazhdoi me disa pyetje për dëshmitarin e mbrojtur. Duke iu drejtuar dëshmitarit, prokurori ia rikujtoi se ai fillimisht ka folur për gjendjen e babait kur është kthyer në vendin ku po qëndronte familja.
Prokurori rikujtoi e dëshmitari ka thënë se babai i tij, kur u kthye, kishte edhe disa lëndime në kokë, nuk ishte larë, nuk ishte i pastër, kishte të djegura në kraharor.
“A ju kujtohet ndonjë hollësi tjetër për kushtet e babait kur u kthye?”, pyeti prokurori.
“Kishte gjak të tharë në trup”, tha dëshmitari në përgjigjen e tij.
Prokurori e pyeti rreth asaj se çfarë u ka thënë babai, për mbajtjen e tij rreth kushteve, ushqimin e fjetjen.
“Po, babai tha se ka qenë në dhomë me tri dritare vetëm hekura, pa xhama e dhoma ka qenë beton. Disa në beton e disa në sfungjerë, pa pastrim, të gjithë aty kanë qëndruar”, tha ai.
Në këtë pikë, prokuroria përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarit, duke bërë qe kryetarja e trupit gjykues, t’ia parashtrojë disa pyetje.
Ajo ia rikujtoi dëshmitarit se më herët ka thënë se kur ishte një person me një armë që shkatërronte ndërtesa. “Më vonë keni dëgjuar se ishte Pjetër Shala, por atë ditë, e keni parë vetë këtë person?”, pyeti gjykatësja.
“Po e pash”, tha dëshmitari.
“E pas kaq shumë vitesh, jeni në gjendje ta përshkruani si ishte?”, pyeti gjykatësja.
“Ai me minahedhës ka qenë, personi i parë afër shtëpisë”, tha dëshmitari, por pa e përshkruar se si dukej ai person.
“Na përshkruani si ishte personi?”, e pyeti gjyqtarja
“E kam parë vetëm pak se isha pas gardhi, e dorën mbi gardh e kishte kurse arma ishte e gatshme për qitje”, tha dëshmitari.
Më pas, fjalën e mori Mbrojtësi i Viktimave i cili kërkoi të sqarojë se kohën se sa ka punuar babai i dëshmitarit si polic në ish Jugosllavi.
Dëshmitari tha se ka punuar për 35 vjet, deri në vitin 1997.
“Ju pyeta sepse në transkript shkruante se ishte nga viti 1990 deri në vitin 1997. Pra jo vetëm shtatë vjet por tërë jetën’, tha Mbrojtësi i Viktimave.
“Po, ai gjatë tërë jetës ka qenë polic. Ka filluar në moshën 24 vjeç e deri në moshën 52 vjeç”, tha dëshmitari. “Ka punuar për 35 vjet në polici në ish Jugosllavi”.
I pyetur për gjendjen në familjen e tij pas rastit, Mbrojtësi i Viktimave tha se pasojat kanë qenë emocionale, trauma, shpirtërore, të shkaktuara nga mbajtja në Kukës.
Ai tha se babai i tij kishte përkeqësim të shëndetit dhe të gjitha të tjerat me radhë, sëmundje kohë pas kohe, deri ku ka kaluar me përcjellje me personin e dytë.
“I kanë shkaktuar lëndime të syve, ka mbërritur në verbim të syve e të gjitha i janë shkaktuar nga mbajtja në Kukës”, tha ai.
I pyetur se çfarë pa tek babai i tij se ai po vuante, si ndryshoi ai si person për shkak të traumës, dëshmitari tha se prindi pastaj i kishte të gjitha, agresivitet, në anën psikologjike e mendore.
“Ka ndikuar në fund erdhi verbimi i syve, ka fituar diabetin e kështu”, tha ai.
Ai u shpreh se përvoja e familjes ishte shumë e hidhur.
“Ishim shpirtërisht keq për atë gjendje që e shikonim babanë. Natën kishte trauma, e në gjendje jo si para lufte. Pas lufte gjendja e tij ka ndryshuar drastikisht”.
Më pas, radha i erdhi avokatëve mbrojtës që të parashtrojë pyetjet për dëshmitarin e mbrojtur të prokurorisë.