Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i ka kërkuar kabinetit qeveritar që të gjejë një mënyrë që t’ia mundësojë këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, lëvizjen e lirë pasi kjo e fundit është ndaluar në pikën kufitare në Merdar prej disa orësh.
Rashiq i ka lutur ministrat që të gjendet një zgjidhje.
“Dje këshilltarja ime duke ardhur nga drejtimi i Beogradit në vendkalimin kufitar në Merdar është ndaluar 4 orë në hyrje. Ka pasur takime të caktuara edhe me ambasadorin Hovenier. Prapë është ndaluar dhe deri në këto momente kur po flas është ende e ndaluar atje. Atje është qe 14 orë, arsyetim juridik nuk kanë, i kanë marrë dokumentet dhe ajo pret. Dua t’ju lus e di që nuk është në kompetencën tonë, por të dërgoni një shkresë qysh sot nga kabineti anëtarëve të QUINT-it të shprehni lutje për të biseduar me kolegët e tyre në Beograd që çështjet e tilla të mos ndodhin. Ju lus nëse dini ndonjë mënyrë tjetër, përveç komunikimit parimor, unë nuk e di çfarë mund të bëjmë tjetër”.
Ndërkohë, është bërë e ditur se nga Ministria e Punëve të Jashtme veçse janë ndërmarrë hapa.
Ministrja Donika Gërvalla ka thënë se janë drejtuar në Zyrën e BE-së dhe se janë kontaktuar ambasadat e shteteve të QUINT-it.
“Me të marrë informacionin sot në mëngjes që këshilltarja mbahet në kufi dhe nuk lejohet lëvizja e saj, përmes zyrës sonë në Beograd kemi ndërmarrë të gjithë hapat zyrtarë për informimin e Zyrës së BE-së që është garancë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës brenda BE-së. Zyra jonë është aktive për të siguruar lëvizje. E di që edhe ambasadat e QUINT-it që i kam kontaktuar, janë në lëvizje edhe në Beograd edhe në Prishtinë dhe po shpresoj se do jetë kohë e shkurtër deri kur ajo të mund të lëvizë”, ka thënë Gërvalla.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka shtuar se “do të shoh se çfarë mund të bëj sot paradite që Trajkoviqi të mund të lëvizë”.