Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar në lidhje me incidentet që kanë ndodhur dje në veri të vendit, ku u dëmtuan zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ ) në veri të vendit.
Ai thotë se dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme, duke shtuar se mbështetë demonstratat paqësore.
“Vërtet shumë shqetësuese. Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme. Mirë që Policia e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”, shkruan ambasadori Rohde në Twitter.
Very concerning indeed. Yesterday’s violence against municipal election offices are unacceptable. Good that KP in coordination with EULEX and KFOR is present. Full support for peaceful demonstrations but zero tolerance for violence. https://t.co/cYmwS19kuK
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) December 7, 2022
Kujtojmë se zgjedhjet për komuna do të mbahen më 18 dhjetor ndërsa për dy kuvende komunale do të mbahen më 25 dhjetor.
Dje disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.
Policia e Kosovës tha se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.
Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore./KosovaNews