Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike për dy proceset zgjedhore në katër komunat e veriut të Kosovës.
Iniciativa Qytetare-Mitrovica do të garojë me Betim Osmanin në Komunën e Mitrovicës së Veriut me numrin 111.
Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 112 në garën për kryetar në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut.
Partia e “Serbëve të Kosovës” me Aleksandar Jablanoviqin si kandidat për kryetar të Leposaviqit do të garojë me numrin 113.
Slagjana Pantoviq si kandidate e pavarur do të garojë në Zveçan me numrin 114.
Lëvizja Vetëvendosje me kandidatë për kryetarë të të katër komunave do të garojë me numrin 115.
Këta numra subjektet i morën pas tërheqjes së shortit.
Kujtojmë se zgjedhjet për komuna do të mbahen më 18 dhjetor ndërsa për dy kuvende komunale do të mbahen më 25 dhjetor.
Dje disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.
Policia e Kosovës tha se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.
Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore./KosovaNews