Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, AVONET, po kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të marrë masa urgjente ndaj Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe gjykatësit të çështjes për neglizhencë, mosprofesionalizëm dhe mosefikasitet.
Të njëjtit, po ashtu po kërkojnë nga Faik Hoti, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë të marrë masa urgjente ndaj stacionit Policor në Lipjan, për mosofrimin e sigurisë së të ndjerës.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga AVONET.
“Duke qenë në dijeni Gjykata Themelore e Ferizajt se i njëjti ishte recidivist i veprave penale, gjykatësi, ka neglizhuar dhe ka vënë në rrezik jetën e tashmë viktimës, duke marr parasysh se ky gjykatës të njëjtin e ka dënuar me dënim me gjobë për armëmbajtje pa leje, duke pasur parasysh rrethanat dhe dashjen e kryesit të veprës penale”, thuhet në reagimin e AVONET.
Sipas AVONET, Gjykata Themelore e Ferizajt ka treguar mungesë profesionalizmi çka bëri që tash S.H të kryente veprën penale të vrasjes me paramendim, duke pasur mundësi që të endet i lirë përkundër denoncimeve të vazhdueshme nga e ndjera.
“Në këtë rast ka dështuar edhe Policia e Kosovës, e cila është përgjegjëse për sigurinë e viktimave të dhunës në familje dhe zbatimin të urdhërove për mbrojtje”, thuhet në këtë komunikatë.
Po ashtu, aty thuhet se Institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë marrë asnjë veprim për mbështetjen e Qendrave për Punë Sociale, si në aspektin logjistik dhe profesional, shumica e QPS-së nuk kanë automjete të tyre dhe mungesë stafi e hapësirave dhe fondeve emergjente.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka reaguar duke thënë se kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia.
KMDLNJ ka konstatuar se vrasja e gruas shtatzënë ndodhi shkaku i dështimit të mekanizmave mbrojtës të shtetit
Vrasja e shtatzënës ka nxitur reagime të shumta, ku krerët e shtetit kërkuan që organet e drejtësisë të kapin autorin e krimit sa më shpejtë dhe të njëjtit t’i jepet dënim meritor.
Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas takimit të grupit të ngushtë ndërministror, ka paralajmëruar dorëheqje e shkarkime, ndërsa theksoi se sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, vrasja e së mërkurës mbrëma mund të parandalohej.