Avokati Tomë Gashi, si avokat i familjes Dehari, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kërkuar nga prokurori i shtetit që të flas e të tregojë se kush e vrau aktivistin Astrit Dehari dhe kush po i manipulon provat e kush po i vjedh e kthen mostrat e aktivistit Astrit Dehari.
Në shtrimin e shumë pyetjeve me kush, avokati Gashi ka kërkuar nga prokurori që të jep sqarime për shumë çështje dhe mos të heshtet edhe më tutje në rastin e rëndë Dehari.
“Prokuror, fol! Kush e vrau Astritin? Kush po i manipulon provat për vrasje? Kush po i vjedhë mostrat? Kush po i kthen mostrat e vjedhura? Kush po hetohet për manipulim të provave e kush për vjedhje të mostrave? Kush po “shpërblehet” për kthimin e mostrave?”, ka shtruar pyetjet Gashi.
Tutje avokati Gashi i ka kërkuar prokurorit që t’i tregojë Arses kush ia vrau babain, kush e nxiti vrasjen, kush po e fshehë vrasjen, e kush po manipulon me prova të babait të saj, të cilin – baba – ajo nuk e ka takuar kurrë!
“Prokuror, tregoji Artës, gruas së Astritit, kush i manipuloi, kush i bëri të papërdorshme dhe kush i dërgoi provat e manipuluara në Zvicër. Prokuror, tregoji Albanës, motrës së Astritit, kush nuk po lejon që të zbulohet rasti i vrasjes së Astritit. Prokuror, tregoji znj. Xhemile dhe z. Avni, prindërve të Astritit, kush po ndërhynë, që 7 vite, në rastin e zbulimit të vrasjes së Astritit”, ka shkruar Gashi.
Në këtë rast, Gashi i ka kërkuar prokurorit që t’i tregojë opinionit publik, siç kanë bërë vitin e kaluar përmes dy deklaratave në media, herë me dy gjetje, e herë me pesë, të ekspertizës shtesë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër.
Gashi ka pyetur pse prokurori nuk po e publikon edhe pjesën ku ata (Instituti i Mjekësisë Ligjore në Zvicër) e kane vërtetuar se provat qe janë dërguar në Zvicër kanë qenë të papërdorshme dhe të manipuluara.
“Prokuror, tregoji opinionit kush i dërgoi në Zvicër dy pliko të zbrazëta me, kinse, mbetjet e thonjve të Astritit. Prokuror, tregoji opinionit se si e siguruat një shkresë nga Instituti i Forenzikës në Kosovë – pasi që është vërtetuar nga zvicranët që janë dërguar plikot e zbrazëta – ku ata e arsyetojnë prokurorinë se nuk kanë dërguar fare mbetje të thonjve të Astritit sepse paskan “shpenzuar” të gjitha mbetjet e thonjve për ekspertizën e bërë në Kosovë”.
“Prokuror, tregoji opinionit pse nga mbetjet e dhjete thonjve nuk janë ruajtur, se paku, disa, që të mund të behet ekspertizë e dytë dhe që me ekspertizën nga Instituti në Zvicër lehtë të vërtetohej ADN-ja e personit të tretë që e ka vrarë Astritin”.
Avokati Gashi tutje ka pyetur prokurorin, pse nuk e fton si dëshmitare gruan e Naser Makollit (i cili ishte në qeli të njëjtë me Astritin për 78 dite), pas deklarimeve të saj publike – qe konfirmon se burri i saj ka pasur njohuri se çfarë po i bëjnë Astritit.
“Prokuror, tregoji gruas se Naser Makollit se si është e mundur qe ai të mbetet në Qendrën e Paraburgimit në Prizren edhe 1 muaj pas vrasjes së Astritit, e pastaj, bashkë me gardianët e Qendrës në fjalë, të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan ku kanë qëndruar të njëjtit gardianë të Prizrenit, duke mos e lënë “pa përcjellje” të tyre, derisa edhe vetë Naseri vdiq aty, në mënyrë misterioze – nga “sulmi ne zemër”, disa muaj pas vrasjes së Astritit”.
Avokati Gashi i ka kërkuar prokurorit që t’i tregojë atij si avokat i familjes Dehari, se çfarë po ndodhë me kallëzimin penal të ushtruar nga familja Dehari, kundër ish-kryeprokurorit Sylë Hoxha, i cili tentoi që, si prokuror i shtetit, vetëm 13 ditë pas vrasjes së Astritit, ta mbyllë rastin si vetëvrasje.
”Prokuror, më trego mua se çfarë po ndodhë me kallëzimet penale që i ka ushtruar familja Dehari, kundër personave përgjegjës për mundësimin e publikimit, në televizion, të incizimeve të korridorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, para se këtë incizim ta kishte edhe vetë Prokuroria. Prokuror, të lutem me njofto lidhur me paraqitjen e kallëzimit penal nga familja Dehari, kundër atyre që i dërguan në Zvicër provat e manipuluara. Prokuror, të lutem na trego të gjithëve se a të ndihmoi deputeti Haki Abazi me deklarimin e tij, si dëshmitar, lidhur me risitë që dukej se vetëm ai i dinte. Prokuror, FOL!”


