Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Guxo, Haxhi Avdyli ka reaguar pasi u zyrtarizua kalimi i Doarsa Kicës në LDK dhe kjo e fundit bëri një paraqitje publike ku foli për veprimin e saj.
Avdyli tha se ka pritur që deputetja në fjalë të tregonte arsyet e vërteta të ikjes, por që ajo, sipas tij nuk e dha asnjë arsyetim.
Deputeti Avdyli tha se kur je në rrugë të drejtë të sulmojnë, të shpifin, të shantazhojnë, të linçojnë, mundohen të të blejnë, por shumë më shumë ka që të duan e respektojnë dhe për këtë arsye misionin për shtet e drejtësi, nuk ka forcë që e ndalon.
Ajo tha se gjithë deklarimet e Doarsa KIcës për kalimin në LDK nuk qëndrojnë, sepse gjithë ato punë e çështje që nuk janë bërë për më shumë se 20 vjet, po bëhen tash nga qeverisja aktuale.
“Kjo “motra” jonë i kafshoi dorën e Vjosa Osmanit e partisë Guxo nga e cila u ushqye e u rrit (politikisht). Pardje e nisi rrugëtimin politik diku tjetër duke përqeshë Rugovizmin e LDK-së e Guxo e pa kurrfarë lidhshmërie emocionale me konceptet e tyre, tani mbetet çështje kohe kur ka me ik edhe nga aty, ose do mësohet për të duruar goditjet e këpucave e bërrylave”, është shprehur ai.
Në këtë rast, deputeti Avdyli ka përmendur edhe një fjalë popullore, e cila thotë – “njerëzit që kafshojnë dorën e atij që e ushqen, zakonisht lëpijnë këpucën e atyre që godasin”.
Avdyli në emër të tij u ka kërkuar falje gati gjysme milioni votuesve për mashtrimin që bëri Doarsa Kica.
“Edhe na jemi njerëz, mashtrohemi. Nuk e kemi njohur mirë. Siç ka raste që edhe në jetë të përditshme të mashtrohemi, e të na lënë në baltë në gjysmë të rrugës, sot po ndihemi njëjtë si ju të gjithë, veç ne edhe pak më shumë. Por misionin tonë për shtet e drejtësi, nuk ka forcë që e ndalon”, ka shkruar mes tjerash deputeti Avdyli.
Postimi i plotë i Avdylit:
Të jesh përfaqësues i qytetarit, është përgjegjësi e madhe.
Kur je në rrugë të drejtë të sulmojnë, të shpifin, të shantazhojnë, të linçojnë, mundohen të të blejnë, por shumë më shumë ka që të duan e respektojnë por ka edhe që të shajnë.
Por s’guxon asnjëherë të ligshtohesh e të devijosh për hir të mijëra zemrave e syve plot shpresë që ishin drejtuar kutive të votimit për ty.
Këto ditë “motra” jonë e vogël në politikë, papritur u largua nga Partia Guxo e nga grupi parlamentar.
Na brente shumë të kuptonim, cili ishte shkaku se arsye s’gjenim.
U frikësuam që dikush e ka shantazhuar, blerë apo kërcënuar.
Menduam që ka hatërmbetje, s’patë hapësirë apo iu ndal zëri.
Por nga intervista mbrëmë vërtetuam nga ajo që asnjë nga këto arsye nuk qëndronin.
Tha: Po largohem nga Partia Guxo për reformën në drejtësi dhe luftimin e korrupsionit.
WHAAT?!!
*Të jesh kryetare e Komisionit parlamentar për administratë, e anëtare i komisionit për ligjet, të kesh tërë hapësirën në grup parlamentar e në foltore, të kesh tërë respektin e ndihmën e 67 deputetëve të shumicës, të kesh 7 ditë në javë dyert e hapura që të diskutosh me Presidenten e Kryeministrin dhe të thuash po iki për të shkuar në një parti të vogël opozitare për ta bërë atë reformë, më së paku mund të quhet tentim për sabotim të kësaj reforme.
*Të thuhet pa u skuqur se po iki për reformë në drejtësi e vetting, në kohën që pas 23 vite liri kjo qeveri po fillon vettingun e reformën e thellë ne drejtësi e po ke tërë hapësirën e mundshme të kontribuosh nga Kuvendi e përmes dyerve të hapura në qeveri e Presidencë, quhet dezertim.
*Të thuash po largohem për mosluftimin e korrupsionit, në kohën kur raportet ndërkombëtare vendosin Kosovën në vend të parë në regjion e me ngritje ne ranglistën e luftimit të korrupsionit e kur kjo qeveri s’ka asnjë aferë korruptive quhet diletantizëm politik.
*Reforma në drejtësi po bëhet, ka dhjetëra ligje që kemi votuar e tjerat presin për t’u votuar. Lufta kundër korrupsionit po vazhdon me hapa të mëdhenj. Kjo rrugë sdo mund të ndalet nga askush.
*Populli ka një fjalë – “njerëzit që kafshojnë dorën e atij që e ushqen, zakonisht lëpijnë këpucën e atyre që godasin” .
Kjo “motra” jonë i kafshoi dorën e Vjosa Osmanit e partisë Guxo nga e cila u ushqye e u rrit (politikisht). Pardje e nisi rrugëtimin politik diku tjetër duke përqeshë Rugovizmin e LDK-së e Guxo e pa kurrfarë lidhshmërie emocionale me konceptet e tyre, tani mbetet çështje kohe kur ka me ik edhe nga aty, ose do mësohet për të duruar goditjet e këpucave e bërrylave.
*Për fund, në emër tim personal, përmes këtyre fotove, juve gati gjysmë milioni qytetarë që na besuat me 14 shkurt, me përulësi ju themi NA FALNI.
Edhe na jemi njerëz, mashtrohemi. Nuk e kemi njohur mirë.
Siç ka raste që edhe në jetë të përditshme të mashtrohemi, e të na lënë në baltë në gjysmë të rrugës, sot po ndihemi njëjtë si ju të gjithë, veç ne edhe pak më shumë.
Por misionin tonë për shtet e drejtësi, nuk ka forcë që e ndalon.