Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) ka deklaruar se deri më tani nuk është refuzuar asnjë ngarkesë e ujit të ambalazhuar nga Kosova nga ndonjë shtet.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut kishte njoftuar disa ditë më parë se është duke inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi në analizat laboratorike të kryera në një mostër uji është zbuluar prania e bakterit koliform në ujin burimor “Rugova”.
AUV-i ka theksuar se nuk kanë pranuar asnjë informacion zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për dyshime rreth sigurisë së ndonjë ngarkese me ujë për pije.
“Pas raportimeve në media mbi dyshimet për sigurinë e produktit ujë “Rugove’’, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur gjurmimin e plotë për prodhimet e brendit në fjalë. Fillimisht si autoritet nuk kemi pranuar asnjë informatë zyrtare nga Autoriteti i Maqedonisë se Veriut, për dyshime rreth sigurisë se ndonjë ngarkese me produkt ujë për pije”, thuhet mes tjerash në komunikatën e AUV-it.
Sipas tyre, nga të dhënat e kontrollit kufitar nuk është gjetur asnjë ngarkesë me ujë të refuzuar apo kthyer nga ndonjë shtet tjetër gjatë kësaj periudhe kohore.
Ndërkaq, theksohet se nga dita e pranimit të informacionit, ky institucion ka nisur gjurmimin e të gjitha të dhënave për këtë operator ekonomik. Sipas të dhënave të AUV-it, në muajin e fundit janë eksportuar gjithsej 27 ngarkesa.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është njoftuar se uji burimor “Rugova” kontrollohet rregullisht në laboratorët e këtij institucioni dhe, sipas tyre, nuk janë gjetur asnjëherë baktere të dëmshme për shëndetin e konsumuesve.


