Autoritetit i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK) në fund të kësaj jave ka filluar hetimet ndaj disa kompanive kabllore të Kosovës nën dyshimin se ato kanë vendosur çmime kartel në treg.
Sipas Burimeve të KosovaNews brenda Autoritetit të Konkurrencës operatorët që janë duke u hetuar janë Art Motion, Kujtesa, Telkos, dhe ISP Broadcast, të cilat kontrollojnë shumicën e tregut kabllor dhe të internetit në Kosovë.
AKRK ka zbuluar se këta operatorë kontrollojnë tregun si kartel duke ngritur e fiksuar çmimet, duke mos ndjekur rregullat e konkurrencës në tregun e lirë. Sipas ligjeve dhe rregulloreve të AKK-së kompanitë të cilat vërtetohen se kanë bërë marrëveshje kartel parashihet të dënohen me gjoba deri në 10 % të qarkullimit vjetor të gjithmbarshëm.
Kujtojmë se Autoritetit i Konkurrencës në mars të këtij viti ka filluar edhe një hetim tjetër ndaj kompanisë Kujtesa dhe Devolli Corporation Sh.p.k. për shitblerje të fshehtë të aksioneve duke shkelur ligjet ekzistuese, si dhe për paraqitje të rreme si konkurrentë për arritjen e “marrëveshjes kartel” – ujdi kjo që njihet si praktikë që ngulfatë konkurrencën.
Pas hetimeve të nisura në vitin 2022 ndaj kompanive ArtMotion dhe Kujtesa nën dyshimet për marrëveshje kartel, Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, në mars të këtij viti ka zgjeruar hetimet edhe ndaj kompanisë Devolli Corporation Sh.p.k ku kjo e fundit kishte blerë Kujtesën për 20 milionë euro pa e lajmëruar përqëndimin tek Autoriteti i Konkurencës.