Një aksident trafiku ka ndodhur pasditen e së shtunës në magjistralen Prishtinë-Pejë mes një autobusi me nxënës dhe një kamioni.
Autobusi i aksidentuar ishte i kompanisë “Graniti Trans” nga Presheva i cili po transportonte nxënës nga kjo komunë, të cilët ishin në një ekskursion në Shqipëri.
Nga kompania në fjalë i kanë konfirmuar se një autobus, nga gjithsejtë tre sa ishin duke bartur nxënësit që ishin në ekskursion, është aksidentuar me një kamion.
Sipas kësaj kompanie asnjë nga nxënësit që ndodheshin në autobusë nuk kanë pësuar lëndime trupore.
Sipas fotografive, një person shoqërohet për në ambulancë


Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se nga aksidenti në fjalë dhjetëra persona kanë pësuar lëndime.
“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit janë dhjetëra persona që kanë pësuar lëndime. Janë njoftuar edhe ekipet mjekësore. Më pas do t’u ofrojmë të dhëna të përditësuara lidhur me aksidentin”, ka deklaruar Bajram Krasniqi.


