Austria ka urdhëruar dy diplomatë nga Ambasada ruse në Vjenë të largohen nga vendi. Një zyrtar austriak ka thënë se ata po dëbohen lidhur me aktivitete spiunimi.
Ministria e Jashtme ka thënë se dy diplomatët rusë “u përfshinë në veprime që nuk përputhen me statusin e tyre diplomatik” dhe u shpallën “persona non grata”.
Diplomatëve u është dhënë afat deri më 19 mars të largohen nga Austria, raportoi AP.
Ambasada ruse në Austri lëshoi një deklaratë në Telegram duke thënë se është “e indinjuar nga vendimi i Ministrisë së Jashtme austriake për të shpallur dy punonjësit e Ambasadës ruse persona non grata”.
Shtetet perëndimore dhe Rusia i kanë përjashtuar diplomatët në disa raste që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.


