Raporti i Auditorit të pavarur ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës ka bërë mospasqyrim të saktë të kontributeve në natyrë dhe të shpenzimeve të qirasë, ku ka cekur se ka shpenzuar 2.900 euro për një objekt në Gjilan, për të cilin u tha se s’është e qartë pronësia.
Sipas raportit, PDK-ja ka nënshkruar se objekti është në shfrytëzim nga 1999-a, por nuk ekziston dokumentacioni mbështetës që vërteton të drejtën e shfrytëzimit të pronës. Raporti thekson se mungesa e të dhënave krijon pasiguri për korrektësinë e prezantimit të kontributeve.
Po ashtu, në raport thuhet se PDK-ja ka mungesë të procedurave të prokurimit, ku thekson se “subjekti politik nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të formalizuar të tenderimit për blerjet dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve”.
“Për më tepër, subjekti politik nuk ka krijuar dhe zbatuar politika dhe procedura të menaxhimit financiar dhe kontrollit për procesin e prokurimit, duke krijuar paqartësi në menaxhimin dhe dokumentimin e shpenzimeve”, thuhet në raport.
Auditori tutje ka shtuar se Partia Demokratike ka mungesë të nënshkrimeve të rregullta në pasqyrat financiare.
Po ashtu, për shfrytëzimin e objekteve komunale, raporti bën me dije se gjatë 2024-s PDK-ja i ka përdorur 28 zyra, ku tri prej tyre i shfrytëzon pa pagesë, që thuhet se kjo është në kundërshtim me ndalesat ligjore për kontribute në natyrë.
“Gjatë auditimit është konstatuar se subjekti politik, gjatë vitit 2024, ka operuar me një rrjet prej 28 zyrash në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, ku për tri prej tyre shfrytëzon objekte komunale pa pagesë qiraje. Këto përfitime nuk janë deklaruar si donacione në natyrë, siç kërkohet me legjislacionin përkatës. Sipas Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-122, subjektet politike ndalohen të pranojnë donacione apo përfitime në natyrë nga institucionet publike, përfshirë komunat. Pranimi dhe mosdeklarimi i këtyre përfitimeve përbën shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave ligjore, cenon transparencën dhe rrit rrezikun për ndikim të paautorizuar institucional në veprimtarinë e subjektit politik”, thuhet tutje në raportin e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.