Me afrimin e sezonës veror, kur koncertet, dasmat dhe aktivitetet argëtuese marrin hov në mbarë vendin, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka dalë me një njoftim drejtuar artistëve dhe organizatorëve të eventeve muzikore dhe artistike.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ATK u ka bërë thirrje të gjithë këngëtarëve, artistëve dhe subjekteve të përfshira në ofrimin e shërbimeve argëtuese që të përmbushin detyrimet e tyre tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Kjo periudhë e intensifikuar e angazhimeve artistike nuk përjashton askënd nga përgjegjësitë ligjore,” thuhet në njoftim. “Pagesa e tatimeve është obligim ligjor”.
Administrata apelon për deklarim dhe pagesë të rregullt të të ardhurave, me qëllim të shmangies së ndëshkimeve të mundshme ligjore.