Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se gjatë pesë muajve të parë të këtij janë mbledhur gjithsej 460.4 milionë euro të hyrat tatimore, duke shënuar një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“ATK-ja mbetet e përkushtuar në forcimin e integritetit dhe transparencës, duke ofruar mbështetje profesionale të rregullt dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit. Zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë dhe monitorimi i përhershëm i zbatimit të obligimeve tatimore janë thelbësore në rrugëtimin tonë drejt një administrate më të fuqishme dhe më të besueshme”, thuhet në një njoftim të kësaj administrate.
ATK-ja njëherësh ka falënderuar tatimpaguesit që përmbushin detyrimet e tyre me korrektësi, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e përgjithshme të vendit tonë.