Numri i përfituesve nga skema e ndihmës sociale ka rënë për 15.5 për qind, shtatorin e këtij viti, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Sipas statistikave të mirëqenies sociale për muajin shtator 2023, të cilat i ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), këtë shtator në skemën e ndihmës sociale janë 3498 familje më pak.
“Në muajin shtator 2023, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 671 familje me gjithsej 81 113 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, që ishte 24 169 familje me gjithsej 95 478 anëtarë, vërehet një rënie e numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 3 498 ose 14,5%”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Në muajin shtator 2023, krahasuar me muajin shtator 2022, thuhet se kishte rënie të numrit të përfituesve nga skema për pensionet invalidore (-18,0%), skema për pensionet e Trepçës (-18,1%), skema për pensionet familjare (-10,1%), skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (-0,8%), skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,6%).
Ndërkohë që është regjistruar rritje e përfituesve në disa kategori të tjera.
“Në muajin shtator 2023, krahasuar me muajin shtator 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: Skema e pensioneve bazike të moshës (5,8%); skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (14,9%); skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK) (10,9%); skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik (12,2%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (6,2%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,4%); skema e kompensimeve për personat e verbër (0,6%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,0%); skema për veteranët e luftës (-0.2%), thuhet në njoftimin e ASK-së.


