Edhe dy shkolla fillore në komunën e Gjakovës, shkolla “Emin Duraku” dhe ajo “Fehmi Agani”, kanë vendosur që të ndërpresin grevën dhe të fillojnë mësimin nga dita e nesërme.
Lajmin se po ndërpritet greva e ka dhënë vetë shkolla në faqen e saj në rrjetin social, ku thuhet se me këtë veprim kanë menduar më të mirën për nxënësit.
“Duke menduar për më të mirën e nxënësve Këshilli i mësimdhënësve të ShFMU ”Fehmi Agani “ me synimet drejt suksesit nga nesër me 15.09.2022 do të fillojnë mësimin mësueset e klasës parafillore dhe ciklit fillor( I – V ). Njëherit tregojmë gatishmërinë që shumë shpejtë do të fillojnë mësimin edhe arsimtarët e ciklit të mesëm të ultë”, thuhet në njoftimin e shkollës, raporton KosovaNews.
E që mësimi ka filluar e ka konfirmuar për kallxo.com edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumanova – Baçi.
“Tani kam marrë informacion zyrtarisht, të shkruar nga dy shkolla të tjera, shkolla fillore të mesme të ulëta “Emin Duraku” dhe “Fehmi Agani” dhe kanë vendos që të fillojnë që nga nesër vetëm cikli ulët”, ka thënë ajo.
Kumanova-Baçi ka bërë të ditur se edhe pesë mësuese në shkollën “Mustafë Bakia“ në Gjakovë kanë filluar mësimin më 12 shtator 2022.
Kujtojmë se KosovaNeës ka raportuar se sot ka filluar mësimi në shkollën fillore “Këlmend Rizvanolli” në Gjakovë.
Këshilli i mësueseve të shkollës fillore “Këlmend Rizvanolli” në Gjakovë ka vendosur të ndërpresë grevën dhe nga sot (e mërkurë), më datë 14.9.2022 do të fillojë mësimin e rregullt.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të shkollës, në të cilin është publikuar edhe orari për secilën klasë, thuhet se mësimi do të fillojë nga nesër.
“Me qëllimin e vetëm dhe për të mirën e nxënësve, Këshilli i Mësueseve të Sh.F.”Këlmend Rizvanolli” ka vendosur që ditën e mërkurë, më datë 14.9.2022, të fillojë mësimin e rregullt”, thuhet në njoftim.
Mësimi do të zhvillohet me këtë orar:
Klasa përgatitore – Ora:10:00
Klasa e I-rë -Ora:13:00
Klasa e II-të, III/2 dhe III/ 4 -Ora: 12:30
Klasa III/1 dhe III/3, IV dhe V – Ora: 8:00
Për informata më të hollësishme, prindërit dhe nxënësit do të njoftohen nga mësueset e klasave.