Këshilli i Prindërve i shkollës “Faik Konica” në Prishtinë ka njoftuar se sot protestohet kundër grevës në arsim.
Në njoftimin e Këshillit të Prindërve thuhet se sot do të protestojë në oborrin e kësaj shkolle.
Protesta është për të shprehur pakënaqësinë e prindërve dhe nxënësve ndaj mosfillimit të procesit mësimor.
Protesta raportohet se do të fillojë nga ora 12:00.
Një grevë e përgjithshme ka filluar tash e një muaj në vend nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Tri kërkesat e BSPK-së janë rritja e pagës për 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh më 2014.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës sot ka njoftuar se greva nuk do të ndalet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të dielën se sindikalistët e PAN-it kanë inat anti-qeveritar dhe atyre u është ndalur sahati më 5 qershor 2017.
I pyetur nga mediet lidhur me grevat në arsim, Kurti tha se pret që mësimi të fillojë sa më parë.
Ai shtoi se Këshilli Grevist ka refuzuar të gjitha ofertat që Qeveria i ka bërë.
“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati anti-qeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër Qeverisë”, shtoi Kurti.


