Pakënaqësitë me zgjatjen e grevës së organizuar nga SBAShK-ut vetëm sa po rriten. Deri sa një pjesë e shkollave pas votimeve të fshehta kanë vendosur të nisin procesin mësimor, në ato shkolla ku ende po mbahet greva, prindërit po organizojnë protesta.
Duke parë se greva po thyhet nga brenda dhe se shumica e mësimdhënësve po shprehen kundër grevës, drejtuesit e SBAShK-ut kanë nisur të pyesin shkollat nëse janë për të nisur ose jo mësimin më 3 tetor.
E njëra nga shkolla që të vendosur që të ndërpritet greva dhe të fillohet me procesin mësimor është edhe shkolla “Ismail Qemaili, në Prishtinë.
KosovaNews mëson se nga votimi që është zhvilluar në këtë shkollë, 67 për qind kanë votuar që të fillojë mësimi të hënën, ndërsa vetëm 31 për qind kanë qenë për të vazhduar me grevë dhe pjesa tjetër nuk është deklaruar fare.
Edhe në SHFMU “Nexhmi Mustafa”, në Besi, shumica janë deklaruar që të ndërpritet greva dhe të fillohet me mësim.
Ndërsa Këshilli i Prindërve i Kosovës ka kërkuar edhe sot ndërprerjen e menjëhershme të grevës dhe nisjen e procesit mësimor.
Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim, ndërsa tashmë ka mospajtime edhe brenda SBAShK-ut dhe disa shkolla pas votimeve të fshehta kanë vendosur që të nisin procesin mësimor.
“E hëna, më 3 tetor, duhet të jetë dita e fillimit të mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës! Asnjë arsyetim më nuk i ndalon prindërit të shfaqin revoltën në çdo formë! E tepruar sa nuk ka kjo grevë!”, thuhet në reagimin e fundit që ka lëshuar Këshilli i Prindërve, raporton KosovaNews.