Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport sot është duke diskutuar me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBAShK-ut) lidhur me grevën në arsim.
Mbledhja në fjalë është zhvilluar me disa debate e përplasje mes të prannishmëve.
Para anëtarëve të këtij komisioni, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ripërsëriti kërkesat e grevistëve, ndërsa tha se fajtori i vetëm që fëmijët nuk mund të shkojnë në shkolla është Qeveria e Kosovës, konkretisht kryeministri Albin Kurti.
Për këtë të fundit tha se ka keqpërdorur lutjen e SBASHK-ut për të gjetur zgjidhje në mënyrë që të fillojë procesi mësimor.
“Kryeministri më ka bullizuar në Parlament, duke thënë se iu kam lutur si vëlla. Unë i kam thënë na ndihmo si vëlla dhe si kryeministër. Por, ai e ka keqpërdorur. Mos të mendojë dikush se mundet të më frikësojë. Mësimdhënësit e Kosovës e dinë se kush jam. Naiviteti dhe sinqeriteti im shpesh po keqpërdoret. Tashmë po tallen me mua duke më thënë ‘mos më quaj vëlla’. Kjo është arritja e kryeministrit”, u shpreh Jasharaj.
E pas kësaj deklarate reagoi kryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Ardian Gola, duke i kërkuar Jasharajt që ta shtrojë diskutimin pa përmendur emra specifik.
“Meqenëse kryeministri Kurti dhe ministri Murati nuk janë këtu për ta mbrojtur vetën, t’u kisha lutur që ta ngrisësh shqetësimin pa përmendur emra të përveçëm”, tha ai.
Gola si kryetar i komisionit, tha se SBAShK-u është palë jashtëzakonisht e rëndësishme për situatën në të cilën është futur arsimi në Kosovë.
“Ndryshe prej klisheve që SBAShK s’ka të bëjë me arsimin, mendoj se ka të bëjë dhe është palë jashtëzakonisht e rëndësishme në arsim. Nuk ka të drejtë më jetike e më të rëndësishme për shoqërinë sesa të ruhen autoriteti dhe integriteti moral i mësimdhënësve. Nëse ky autoritet rrënohet, atëherë rrënohet shoqëria. Në këtë kontekst e konsideroj takimin me ju shumë të rëndësishëm dhe mendoj që secili prej nesh ndan hallet e njëjta për mësimin në mënyrë që ta tejkalojmë gjendjen dhe të punojmë për rritjen e cilësisë. Ne menduam të vijmë në SBAShK, po ishte më e përshtatshme të vini ju këtu dhe të flasim për çështjet dhe shqetësimet ne arsim”, shtoi Gola.


